Zhupa: 4.2 milionë euro nga fondi i emergjencave për një koncert privat. Kuvendi nuk duhet ta miratojë

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka akuzuar qeverinë se po përdor fondin e emergjencave për financimin e një koncerti privat, duke e cilësuar vendimin si shkelje të Kushtetutës.

Në një konferencë për mediat, Zhupa deklaroi se përdorimi i 4.2 milionë eurove nga fondi rezervë i emergjencave për koncertin e Kanye West nuk justifikohet, pasi një aktivitet privat duhet të financohet nga organizatorët dhe jo nga buxheti i shtetit.

Sipas saj, qeveria ka angazhuar të gjithë aparatin shtetëror për promovimin e koncertit, ndërsa tani po përdor fondet publike për të mbuluar kostot e tij.

Zhupa u shpreh se fondi i emergjencave duhet të përdoret për përballimin e tërmeteve, përmbytjeve, zjarreve dhe fatkeqësive që rrezikojnë qytetarët, jo për aktivitete private.

Ajo kritikoi gjithashtu gjendjen e shërbimeve publike, duke theksuar se fondet do të ishin më të nevojshme për emergjencat civile, shëndetësinë, arsimin dhe bujqësinë.

“Një koncert privat nuk mund të shpallet emergjencë sepse kështu dëshiron Edi Rama”, deklaroi Zhupa, duke i bërë thirrje Kuvendit të mos miratojë aktin normativ për këtë financim.

Deklarata e Zhupës:

Koncerti i Kanye West na u paraqit se ishte një investim privat. Askush nuk ishte kundër organizimit të koncerteve apo ardhjes së artistëve ndërkombëtarë në Shqipëri. Nëse një aktivitet është privat, ai duhet të financohet nga organizatorët, përmes shitjes së biletave, sponsorëve dhe investimeve të tyre. Kjo është logjika e ekonomisë së tregut.

Prej javësh pamë të gjithë aparatin shtetëror të angazhuar në promovimin e tij. Qeveria, deputetët e mazhorancës, institucionet shtetërore u kthyen në një makineri marketingu për shitjen e biletave por shqiptarët me shumë halle dhe në protestë e bojkotuan masivisht.

Dhe këtu nis,  skandali i vërtetë që është Akti Normativ.

Qeveria ka vendosur të përdorë 4.2 milionë euro nga fondi rezervë i emergjencave, me akt normativ pikërisht për këtë koncert. Një fond që në total është rreth 10 milionë euro, pra pothuajse gjysmën e tij, për të financuar një koncert që u prezantua si aktivitet privat.

Kjo nuk është thjesht një zgjedhje e gabuar politike dhe një shpërdorim i parave të buxhetit. Por kjo bie ndesh me qëllimin e nenit 101 të Kushtetutës, i cili lejon nxjerrjen e akteve normative vetëm në raste nevoje dhe urgjence. Emergjencat për të cilat ekziston ky fond janë tërmetet, përmbytjet, zjarret dhe fatkeqësitë që rrezikojnë jetën, pronën dhe sigurinë e qytetarëve, jo financimi i një koncerti.

Cila është urgjenca në këtë rast? Mosshitja e biletave? Vështirësitë financiare të organizatorëve? Asnjëra prej tyre nuk përbën emergjencë kushtetuese dhe nuk justifikon përdorimin e fondit rezervë të shtetit.

Shqipëria vazhdon të mos ketë kapacitete të mjaftueshme për mbrojtjen civile. Vetëm këtë fundjavë u dogjën qindra hektarë ullishte, pemëtore dhe pyje, ndërsa zjarrfikësit luftonin flakët me mjete të pamjaftueshme. Ende nuk kemi kapacitetet që duhet të kemi për ndërhyrje nga ajri. Gjatë tërmetit tragjik të vitit 2019, Shqipëria u mbështet edhe te ekipet dhe qentë e kërkim-shpëtimit të ardhur nga Kosova dhe vendet partnere. Pikërisht për situata të tilla ekziston fondi i emergjencave.

Ndërkohë, spitalet përballen me mungesa të pajisjeve dhe shërbimeve jetike, arsimi në ditën më të keqe, bujqësia, pensionet, kudo mund t ishin më të dobishme sesa për nje koncert privat. 

Akti Normativ nuk mund të përdoret si mekanizëm për të anashkaluar kontrollin parlamentar sa herë që qeveria dëshiron të financojë një shpenzim të pajustifikuar. Nëse pranohet ky precedent, nesër çdo interes privat mund të shpallet “urgjencë” dhe të paguhet nga taksat e qytetarëve.

Për këtë arsye, Kuvendi ka detyrimin kushtetues të mos e miratojë këtë Akt Normativ. Deputetët nuk duhet të bëhen noterë të një vendimi që shkel nenin 101 të Kushtetutës dhe cenon vetë kuptimin e fondit të emergjencave.

Shteti nuk mund të trajtojë si emergjencë një koncert privat, se kështu ka dëshirë Edi Rama. Ky është një test për respektimin e Kushtetutës dhe për përgjegjësinë ndaj parave të shqiptarëve.

EMISIONET