Zgjedhjet, Glover: OSBE- ODIHR vëzhgues edhe për sjelljet politike dhe financimet

Misioni i OSBE- ODIHR për zgjedhjet vendore do të vendosë në Shqipëri vëzhgues jo vetëm për votimet, por edhe për sjelljet politike dhe financimet. Në konferencën e parë për mediat në Tiranë Audrey Glover tregoi dhe mënyrën e veprimit.

“Ne do të kemi një ekip bazë prej 13 ekspertësh të vendosur në Tiranë, ku përfshihen një ekspert ligjor, një ekspert zgjedhjesh, një ekspert politik, 2 analistë për mediat, 1 analistë për pakicat kombëtare dhe një koordinator për vëzhguesit afatgjatë. Do të ketë gjithashtu një ekspert për burimet njerëzore, sigurinë dhe për financat, sigurisht i fundit por jo nga rëndësia, do të jetë zëvendësi im”, u shpreh ajo.

Takime Glover do të ketë me të gjithë aktorët e përfshirë në zgjedhje duke mos përjashtuar as berishën

 “Lidhur me situatën politike, ne nuk mund ta krahasojmë zgjedhjet me ato të kaluarat, do shikojmë situatën dhe shpresojmë më të mirën. Me shumë kënaqësi do takohemi me cilindo që është i përfshirë në këtë proces zgjedhor”, u shpreh Shefja e misionit të OSBE-ODIHR.

Rritja e pagave nga qeveria dhe shpenzimet e tjera të qeverisë do të jenë pjesë e raportit

“Kjo çështje është një nga fushat më me rëndësi që duhet vëzhguar dhe ne do t’i kushtojmë vëmendje. Ne nuk ndërhyjmë në zgjedhje, nuk jemi as polici e as politikanë, nuk na intereson rezultati, duam vetëm të jemi të sigurt që procesi zgjedhor do të jetë transparent”, deklaroi Audrey Glover. 

Raporti final i ODIHR do të publikohet 8 javë pas përfundimit të procesit zgjedhor. Për Glover rëndësi ka që procesi të jetë transparent dhe që rezultati të dalë në mënyrë korrekte.

zgjedhjet e 14 majit osbe- odihr audrey glover

EMISIONET