Vokshi: Shqipëria ka bashkuar votën me Serbinë kundër Kosovës

Vokshi: Shqipëria ka bashkuar votën me Serbinë kundër

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka akuzuar qeverinë shqiptare se ka ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës, duke votuar pro një deklarate të përbashkët me Serbinë gjatë Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Integrimin Europian të vendeve të Europës Juglindore.

Sipas Vokshit, deklarata nuk e trajton Kosovën si shtet të pavarur dhe përfaqësuesja e Partisë Socialiste hoqi dorë nga vetoja që, sipas saj, ishte përdorur më parë nga opozita për të mbrojtur interesat e Kosovës.

Deputetja demokrate akuzoi kryeministrin Edi Rama se i ka dhënë Serbisë një fitore diplomatike në dëm të Kosovës, duke e cilësuar votimin si një “akt tradhtie kundër Kosovës dhe kundër interesit kombëtar”.

Reagimi i Vokshit:

Shqipëria dje ka bashkuar votën me Serbinë për të miratuar një deklaratë të përbashkët ku Kosova nuk ekziston, gjatë mbledhjes së Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Integrimin Europian të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim-Asociimit të Europës Juglindore.

Për tre vite me radhë, kur Komisioni i Integrimit Europian drejtohej nga Partia Demokratike, refuzimit të Serbisë për të konsideruar anëtarësimin e Kosovës në këtë forum, Shqipëria i është përgjigjur me refuzim për të dhënë konsensus për deklarata ku nuk trajtohej interesi i Kosovës si shtet i pavarur dhe përfaqësimi i saj në çdo forum e institucion.

Por ky qëndrim u zhbë dje, kur përfaqësuesja e Partisë Socialiste, që ia mori opozitës drejtimin e komisionit, vendosi të heqë dorë nga vetoja dhe të japë votën pro një deklarate të përbashkët me Serbinë, që ka fshirë Kosovën nga diskutimi.

Çfarë e ka detyruar Edi Ramën t’i japë sot Serbisë një fitore kundër interesit të Kosovës, megjithëse Kosova i ka kërkuar Shqipërisë të mos ndryshojë qëndrim? Pse ai u dorëzua dje sërish para Aleksandër Vuçiç?

Dhe kjo nuk është hera e parë që Edi Rama vepron kundër interesit të Kosovës.

Ai mbrojti publikisht projektin e shkëmbimit të territoreve me Serbinë.

Ai promovoi projektin e Aleksandër Vuçiç për Ballkanin e Hapur, edhe pasi Kosova deklaroi se nisma favorizonte Beogradin dhe nuk e trajtonte Kosovën si shtet të barabartë.

Ai ndërhyri në debatin për Asociacionin duke paraqitur një draft statut pa u konsultuar me qeverinë e Kosovës.

Ai anuloi mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në kulmin e krizës mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai mbështeti modelin e propozuar nga Vuçiç në një editorial të përbashkët me të, ku Serbia përfiton nga integrimi europian, ndërsa vazhdon të refuzojë njohjen e Kosovës.

Dje Edi Rama shkoi përtej qëndrimeve. Ai nuk foli kundër Kosovës. Ai votoi kundër saj, në një akt tradhtie kundër Kosovës dhe kundër interesit kombëtar.

EMISIONET