Vlerësim i madh ndërkombëtar / UNESCO shpall zyrtarisht Liqenin e Shkodrës Rezervë Biosfere Botërore

Një tjetër vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar i është dhënë Shqipërisë, pasi UNESCO ka shpallur zyrtarisht Liqenin e Shkodrës si një nga 14 rezervat e reja të biosferës në botë për vitin 2026.
Vendimi u bë publik në kuadër të Ditës Botërore të Mjedisit, duke e përfshirë Liqenin e Shkodrës në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës të UNESCO-s, i cili numëron tashmë 797 zona të mbrojtura në 145 vende të botës.
Sipas UNESCO-s, rezervat e biosferës janë territore me vlera të veçanta natyrore dhe ekologjike, ku mbrojtja e biodiversitetit harmonizohet me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenien e komuniteteve lokale. Përfshirja e Liqenit të Shkodrës në këtë rrjet konsiderohet një njohje e rëndësishme për biodiversitetin e pasur, ekosistemin unik dhe rolin e tij në rajonin e Ballkanit.
Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, Khaled El-Enany, theksoi se rezervat e biosferës janë dëshmi se mbrojtja e natyrës dhe zhvillimi i komuniteteve mund të ecin së bashku.
Statusi i ri pritet të rrisë profilin ndërkombëtar të zonës, duke krijuar mundësi të reja për turizmin e qëndrueshëm, projektet mjedisore dhe promovimin e vlerave natyrore të rajonit të Shkodrës.
Liqeni i Shkodrës është një nga 14 zonat e reja të përfshira këtë vit në rrjetin e UNESCO-s, së bashku me rezerva të reja biosfere në vende si Kanadaja, Portugalia, Mongolia, Filipinet dhe Vietnami.
Ky vlerësim konsiderohet një hap i rëndësishëm për mbrojtjen dhe promovimin e një prej pasurive më të çmuara natyrore të Shqipërisë dhe rajonit.


