VIDEO/ Vengu i dorëzon detyrën Nufit: Përgatitja për t’u përballur me sfidat, thelbësore për sigurinë e vendit

Ish-ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i dorëzoi detyrën ministrit të ri, Ermal Nufi, i cili u betua dje para Presidentit të Republikës.

Në fjalën e tij, Vengu theksoi rëndësinë e punës me profesionistë të përkushtuar dhe solidaritetin e treguar gjatë krizave dhe emergjencave, duke vënë në dukje investimet e bëra për forcimin e kapaciteteve të institucioneve dhe të stafit me uniformë.

Ai përmendi rindezjen e motorëve të industrisë ushtarake dhe rolit të Shqipërisë si një aleat i përgjegjshëm dhe i besueshëm.

“Shpreh mirënjohjen time të thellë për secilin prej jush që keni kontribuar në kohë të vështira dhe që keni marrë mbi vete përgjegjësi të madhe. Puna me njerëzit me uniformë më ka mësuar përulësinë dhe se autoriteti nuk buron nga zëri i lartë, por nga përgjegjësia dhe vetëpërmbajtja”, u shpreh Vengu.

VIDEO/ Vengu i dorëzon detyrën Nufit: Përgatitja për

Ai shtoi se sfidat dhe përgatitja për t’u përballur me to janë thelbësore për të garantuar sigurinë e vendit, ndërsa nënvizoi se nuk ka dhuratë më të madhe se sa t’i dedikosh jetën një misioni që tejkalon interesin individual.

Vengu kujtoi se në vitin 2024 pati fatin të marrë stafeten nga ish-ministri Niko Peleshi dhe sot e dorëzon atë tek Ermal Nufi, duke shprehur besimin se me atdhedashurinë dhe vendosmërinë e tij, ministria dhe institucioni do të vazhdojnë të jenë të fortë dhe të besueshëm.

“Institucioni është i fortë, Shqipëria është në duar të sigurta, misioni vazhdon”, tha Vengu.

EMISIONET