VIDEO/ Malaj i kthehet Agron Shehajt në Kuvend: Hipokrit. Ke zgjedhur të mos paguash asnjë taksë në këtë vend
Gjatë një interpelance parlamentare të kërkuar nga kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ministri i Financave, Petrit Malaj, iu përgjigj me tone të ashpra, duke ngritur akuza për aktivitetet e biznesit të deputetit dhe lidhjet e tij me kompani brenda dhe jashtë vendit.
Nga foltorja e Kuvendit, Malaj e cilësoi Shehajn si “politikani më hipokrit në këtë sallë”, ndërsa kërkoi prej tij të shpjegojë publikisht lidhjet që ai, bashkëshortja dhe vëllai i tij kanë me kompanitë “Intercom Data Service” dhe “North Wind shpk”, si dhe me një rrjet kompanish të regjistruara jashtë Shqipërisë.
Ministri deklaroi se Shehaj ka refuzuar t’i japë administratës tatimore informacion mbi mënyrën e transferimit të fitimeve jashtë vendit, duke preferuar, sipas tij, të paguajë gjoba në vend të transparencës. Ai pretendoi se kreu i Partisë Mundësia është i lidhur me 17 kompani të hapura jashtë Shqipërisë dhe e akuzoi për shmangie të detyrimeve fiskale.
“Dua t’u tregosh shqiptarëve se cila është lidhja jote, e bashkëshortes dhe e vëllait tënd me 17 kompani të hapura jashtë Shqipërisë. Kush është arsyeja që refuzoni të jepni informacion për mënyrën se si i transferoni fitimet jashtë këtij vendi?”, u shpreh Malaj.
Më tej, ministri e lidhi këtë çështje me debatet politike mbi financimin e shërbimeve publike, duke deklaruar se kritikat e Shehajt për mungesën e investimeve në shëndetësi, bujqësi dhe mbrojtje sociale bien ndesh me faktin që, sipas tij, ai nuk kontribuon me taksa në Shqipëri.
“Si bëhen këto investime në qoftë se ti nuk paguan asnjë taksë? Shqiptarët duhet të të njohin se ke zgjedhur të shfrytëzosh çdo resurs të këtij vendi dhe të mos paguash asgjë në këtë vend, sepse je duke përgatitur jetën tënde offshore”, deklaroi Malaj. Ai përfundoi duke paralajmëruar se “shumë shpejt të gjitha zullumet e tua do të bëhen publike për gjithë publikun”.
Akuzat e ministrit vijnë në vazhdën e përplasjeve të forta politike mes dy palëve, ku më herët Malaj ka akuzuar Shehajn për krijimin e skemave të parajsave fiskale, ndërsa ky i fundit i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si shpifje politike. O vlla, ma nxirr pak kete lajmin ne web dhe Kronike dhe videon ne rrjetet sociale


