VIDEO/ Krahason Ramën me Hoxhën, Jorida Tabaku lëshon mesazhin e fortë nga protesta
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka mbajtur një fjalim të ashpër gjatë protestës së opozitës, duke tërhequr paralele mes qeverisjes aktuale dhe regjimit komunist të Enver Hoxhës. Ajo iu referua rrëzimit të monumentit të diktatorit si një moment historik i triumfit të lirisë.
Duke folur para protestuesve, Tabaku e cilësoi rrëzimin e monumentit të diktatorit 35 vite më parë si "çasti i kthesës së madhe në historinë tonë" dhe "fundi i një horrori".
Sipas saj, ky akt simbolizon një të vërtetë universale: “Të gjithë diktatorët bien, të gjithë autokratët bien. Të gjithë monumentet e autokratëve, sado të larta të jenë ato, bien e rrëzohen në këmbët e njerëzve të lirë”.
Deputetja demokrate argumentoi se edhe pse njerëzit mund të gënjehen, binden apo tremben për një kohë të shkurtër, në fund ata gjejnë forcën dhe kurajon për të rrëzuar pushtetin e një njeriu të vetëm.
Ajo e aplikoi këtë logjikë në situatën aktuale politike, duke deklaruar se 35 vite më pas, qytetarët ndodhen sërish në shesh përballë "një autokrati të rilindur" dhe një shoqërie ku "pakica sundon mbi shumicën".
Fjalimi i saj u parapri nga thirrjet e protestuesve "Rama ik!", ndërsa folësi që e prezantoi Tabakun bëri një krahasim direkt mes kohëzgjatjes së Edi Ramës në pushtet dhe asaj të diktatorit Enver Hoxha.
"Enver Hoxha qëndroi në pushtet 45 vite... Edi Rama po i afrohet asaj shifre pasi ka qenë që në '98-ën në pushtet. A do ta lëmë Edi Ramën të mbretërojë dhe të bëhet si Enver Hoxha?", u shpreh ai para turmës.
Ky mesazh përforcon narrativën e opozitës, e cila e akuzon qeverinë për tendenca autokratike, duke përdorur simbole të fuqishme nga e kaluara për të mobilizuar mbështetësit e saj.
PJESE NGAFJALIMI I JORIDA TABAKUT
Të dashur qytetarë të Tiranës, demokratë, motra e vëllezër.
Në këto vite në politikë kam folur në shumë salla, kam folur para shumë njerëzve, po kurrë nuk jam emocionuar sesa flas para demokratëve, njerëzve të shtëpisë tonë, njerëzve të lirë, njerëzve që kanë sakrifikuar.
Rrëzimi i monumentit të diktatorit 35 vite më parë ishte çasti i kthesës së madhe në historinë tonë. Ishte fundi i një horrori, ishte fundi i një diktature të pamëshirshme që ishte instaluar në çdo qelizë të shoqërisë tonë.
Ky ishte triumf i një të vërtete të madhe të historisë. Të gjithë diktatorët bien, të gjithë autokratët bien, të gjithë monumentet e autokratëve sado të larta të jenë ato, bien e rrëzohen në këmbët e njerëzve të lirë.
Drita e gjen gjithmonë rrugën e saj.
Liria triumfon gjithmonë, edhe në errësirën e diktaturës. Të një diktature që punoi pa pushim për të mbytur shpirtin e lirë të shqiptarëve, por nuk mundën ta mposhtnin atë përfundimisht.
Njerëzit mund të gënjehen për pak kohë. Njerëzit mund të binden edhe për pak kohë. Njerëzit mund të tremben për pak kohë, por në fund gjithmonë njerëzit e gjejnë kurajon, e gjejnë besimin, e gjejnë forcën për të rrëzuar pushtetin e një njeriu.
Të atij njeriu që mbi 50 vite ndërtoi një mekanizëm të frikshëm survejimi e propagande, ra pikërisht atëherë kur mendoi se ishte më i fortë se kurrë. Atë ditë shqiptarët gjetën guximin t'i shihnin në sy, t'i sfidonin përballë e t'i thonin mjaft.
Në 20 shkurt u rrëzua monumenti i një njeriu që kishte menduar se do të ishte i përjetshëm. Po e përjetshme është vetëm Shqipëria e lirë.
35 vite më pas ne jemi në shesh, jemi përballë një autokrati të rilindur. Ne jetojmë në një shoqëri ku pakica sundon mbi shumicën.
NDIQNI PROTESTËN E PLOTË:



