SKEMA "E PISTË" DHE "VESI QË DEL ME SHPIRTIN"/ Edhe sot Erion Veliaj tentoi intimidimin e GJKKO-së duke akuzuar për paaftësi SPAK-un: "Grepi më i shtrenjtë se peshku i kapur"
Erion Veliaj është pa dyshim “peshku” më i madh dhe ndër “më të shtrenjtët” që ka rënë në rrjetën e drejtësisë së tërhequr nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), nëse flasim me simbolikën e njohur.
Jo vetëm për profilin, por më së shumti për 13 akuzat për 5 vepra penale që SPAK-u ka ngritur ndaj kryebashkiakut të Tiranës, të cilit iu vunë prangat në zyrë dhe mbahet I izoluar në paraburgim.
Por kryebashkiaku me të shkuar aktivisti, si thuajse për çdo gjë në të shkuarën po tenton edhe në përballjen me drejtësinë skema intimidimi dhe në një kohë kur planeve të zvarritjes iu doli “tymi”.
Në seancën gjyqësore për dosjen hetimore me të cilën përballet, kryebashkiaku i arrestuar mësohet të ketë “sulmuar” Prokurorinë e Posaçme për koston e hetimit që e çoi në qeli.
“1 vit burg, 2 vite e gjysmë hetime, i ka kushtuar shtetit shqiptar me rroga prokurori, hetues, gjyqtar, logjistikë, roje, transport, administratë, ekspertë-mbi 1 MLN Euro”, ka deklaruar Veliaj në sallë.
Kryebashkiaku ka vijuar më tej përpjekjen për zhvlerësim të punës së SPAK-ut dhe çështjes që e çuan dhe e mbajnë në qeli pavarësisht gjithë përpjekjeve që ka bërë për të dalë nga birucat.
Veliaj ka përdorur në këtë synim edhe simbolikën e famshme të peshkut të madh, që përdoret sa herë para “Zonjës së Drejtësisë” me sytë e mbyllur përfundojnë zyrtarë të lartë.
“Sot është bërë grepi më i shtrenjtë se peshku që pretendoni se keni kapur”, është shprehur kryebashkiaku i arrestuar që SPAK thotë se e kapur në shkelje të ligjeve e shpërdorim të detyrës.
Këto janë vetëm aktet e fundit të një “lojë të pistë” dhe skeme që Erion Veliaj dhe bashkëpunëtorët e tij e luajtën gjatë gjithë kohës kur çështja ishte në seancë paraprake.
Pasi u vu në pranga e Gjykata e Posaçme konfirmoi se duhet të qëndronte në qeli, mbështetësit e Veliajt protestuan kundër SPAK-ut, e Veliaj siç është faktuar, urdhëroi fushatë sulmesh mediatike.
Gjatë shqyrtimit paraprak të dosjes hetimore, Veliaj tentoi zvarritje të procesit, aq sa SPAK-u në dhjetor të vitit të kaluar bëri një deklaratë të posaçme për këto përpjekje.
Por të gjitha dështuan!
Gjykata e Posaçme përfundoi këtë të hënë shqyrtimin paraprak të dosjes ndaj kryebashkiakut, bashkëshortes dhe bashkëpunëtorëve, po ashtu të vënë nën akuzë.
Më 9 shkurt, pritet të mësohet nëse dosja e Veliaj do të kalojë për gjykim.
SPAK, ka ngritur ndaj kryebashkiakut të Tiranës, 13 akuza, për vepra penale si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
