“Urgjenca janë pagat, pensionet dhe zjarret, jo koncertet”/ Blushi përplaset me ministrin për Aktin Normativ

“Urgjenca janë pagat, pensionet dhe zjarret, jo koncertet”/

Debatet për Aktin Normativ të buxhetit kanë vijuar edhe në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ngriti një sërë pyetjesh për mënyrën e shpërndarjes së fondeve dhe prioritetet e qeverisë.

Në qendër të diskutimit ishin financimet për shëndetësinë, pensionet, zjarrfikësit dhe fondet e akorduara për organizimin e koncerteve.

Blushi e cilësoi seancën si një nga më të vështirat e zhvilluara në komision dhe vuri në dyshim urgjencën e ndryshimeve të propozuara në buxhet.

Ai solli në vëmendje fondin prej 4.3 milionë eurosh të akorduar për koncertin e Kanye West, duke kujtuar se më herët ishte bërë e ditur se nga buxheti i shtetit nuk do të shpenzohej asnjë lek për këtë aktivitet.

Sipas tij, shpërndarja e fondeve nuk pasqyron nevojat reale të qytetarëve.

Ai krahasoi 200 milionë lekët e parashikuara për rikonstruksion godinash me 100 milionë lekët për ish-të përndjekurit dhe 150 milionë lekët për rritjen e pagave, duke pyetur se cili prej këtyre zërave përbën emergjencën e vërtetë.

Blushi ngriti shqetësime edhe për sektorin e shëndetësisë, duke përmendur mungesën e pajisjeve në QSUT dhe në Onkologjik, si dhe fondet e kufizuara për indeksimin e pensioneve dhe mbështetjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Një pjesë e kritikave u përqendrua edhe te situata me zjarret. Ai kujtoi se edhe këtë vit nuk është parashikuar fond për blerjen e avionëve zjarrfikës, ndërsa fondi për zjarrfikësit, sipas tij, mbetet shumë më i ulët se ai i akorduar për koncertin.

Blushi kundërshtoi edhe mënyrën se si është paraqitur Akti Normativ, duke argumentuar se fondet janë shpërndarë më parë dhe miratimi po kërkohet më pas nga Kuvendi. Sipas tij, prioritetet e buxhetit duhet të jenë pagat, pensionet, ilaçet, spitalet dhe mbrojtja nga zjarret, jo shpenzimet për aktivitete të tjera.

 

EMISIONET