Ultimatumi i Celibashit: Personat e paautorizuar të largohen menjëherë nga Qendrat e Votimit!
"Ata që nuk kanë punë në Qendrat e Votimit apo ambjentet ku ato janë vendosur duhet të largohen menjëherë dhe kush ka përgjegjësinë për ta bërë këtë duhet ta bëjë".
Ky ishte apeli i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një dalje për mediat pasditen e sotme në lidhje me ecurinë e procesit të votimit për zgjedhjet vendore.
"Shqetësimi i adresohet më shumë partive politike dhe mbështetësve të tyre që janë vërdallë në këto ambjente" shtoi ai.
Celibashi foli për 7 Qendra Votimi me këtë problematikë në bashkitë Tiranë dhe Durrës.
"Prania e personave te paautorizuar ne qendrat e votimit e marrim si presion ndaj zgjedhesve. E papranueshme qe qytetaret qe kane mbaruar procesin e votimit, vijojne te qendrojne brenda ambjenteve te Qendrës së Votimit. Durresi dhe Tirana, janë dy bashkitë me më shume probleme sa i perket personave te paautorizuar. Denoncimet kane ardhur me se shumti nga koalicioni “Bashke Fitojme” dhe vëzhgues të KQZ."
Sa i takon procesit në terësi, ai tha se po shkon mirë por shtoi se nga 502 Qendra Votimi nuk ka informacion në KQZ se çfarë po ndodhë me pajisjen e identifikimit elektronik.
"Procesi është duke shkuar mirë me përjashtim të 502 qendrave votimi që ne nuk kemi informacion çfarë është duke ndodhur me identifikimin por edhe aty procesi është duke vijuar normalisht. Identifikimi ka rëndësi të madhe por impakti në votim dhe rezultat nuk lidhet fare me pajisjen e identifikimit".
Celibashi tha se 77% e Qendrave të Votimit kanë filluar procesin në 07:00, ndërsa pjesa tjetër me vonesa. Të fundit kanë nisur pas orës 08:00.
"Te gjitha QV kane kuorumin e nevojshem per procesin e votimit. Probleme ka pasur ne Peqin dhe Fier pasi nuk kishte flete votimi mjaftueshem. Po kështu probleme te aksesimit ne QV nga personat me aftesi te kufizuar".