"Turizmi tashmë është elitar"/ Sefa: Kontribuon mbi 26% të PBB-së, është një peshë e konsiderueshme në ekonomi

I ftuar në studion e emisionit “Drejt”, eksperti ekonomik Ergis Sefa foli për peshën që ka marrë turizmi në ekonominë shqiptare dhe sfidat që shoqërojnë këtë rritje.

Sefa tha se Shqipëria ndodhet përballë një mundësie reale për të kaluar drejt turizmit elitar, duke qenë se sektori ka arritur një nivel të lartë kontributi në ekonomi.

Sipas tij, nëse përdoret metodologjia e Bankës Botërore, turizmi kontribuon me 26.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Nëse përfshihet edhe ndërtimi, që në pjesën më të madhe lidhet me turizmin, pesha shkon mbi një të tretën e PBB-së.

“Turizmi ka arritur në një nivel ku ne duhet të kalojmë drejt turizmit elitar. Aktualisht kontribuon mbi 26% të PBB-së. Nëse i shtojmë edhe ndërtimin, shkon mbi një të tretën. Është një peshë e konsiderueshme në ekonomi.”- tha ai.

Ai ngriti shqetësimin se rritja e turizmit nuk po përkthehet në zhvillim për sektorët e lidhur me të, sidomos për bujqësinë, e cila ka qenë në tkurrje gjatë dekadës së fundit.

“Nëse rritja e turizmit nuk ndikon tek rritja e ekonomive zinxhir që lidhen me të, atëherë çfarë fitojmë? Bujqësia duhet të furnizojë turizmin elitar. Nëse kjo nuk ndodh, përfitimi mbetet i kufizuar.”- tha ai. 

Sefa e cilësoi momentin aktual si një udhëkryq për ekonominë shqiptare: ose një kapërcim cilësor në strukturë, ose vazhdim i modelit aktual pa efekte të plota zhvillimore.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË: 

EMISIONET