Kandidati i Alibeajt në Vlorë apel për bashkim, Gjergji Nika: Përçarja i jep forcë Ramës
Është përfolur prej kohësh si kandidati për kryetar bashkie nga radhët e PD-së së grupimit të Enkelejd Alibeajt, Gjergji Nika nga Vlora lëshon një mesazh të fortë për bashkim të demokratëve.
Nëpërmjet rrjetet sociale, Nika, thekson se do të shmanget nga gara brenda partisë, për të dhënë një mesazh bashkimi.
Sipas tij bashkimi i Partisë Demokratike duhet të vijë nga Vlora dhe të dalin me një kandidat të përbashkët që të jetë dhe zgjedhja më e mirë e mundshme për demokratët e Vlorës.
Në mesazhin e tij Nika, njëkohësisht me rol drejtues në degën e PD-së së Vlorës, shprehet se përçarja i jep forcë Ramës për të qëndruar në pushtet dicka të tillë nuk e duan demokratët të cilët duhet të gjejnë forcën të bashkohen për të arritur qëllimin e tyre.
“Ndarja dhe bashkimi ynë ka qenë në qendër të vëmendjes përgjatë gjithë kësaj periudhe.
Personalisht i përkas atyre që ndarjen nuk e kanë patur problem, madje kam besuar që ishte dhe natyrale dhe e shëndetshme, sepse në pikën ku ishim pas 8 Janarit, kishim më shumë arsye për t’u ndarë se sa për t’u bashkuar.
Por e vetmja mënyrë për të ardhur në pushtet është ajo e votës dhe vota duhet të jetë solide dhe e unifikur vetëm në nje drejtim – Kundër pushtetit aktual.
Ndaj, përtej aspektit të protestave të ndërmarra, aksionit dhe grindjeve, vemendje duhet të ketë edhe tek oferta dhe platforma e Partise Demokratike dhe kandidateve te saj dhe kjo duhet të jetë një alternativë politike dhe qeverisëse që duhet t’i jepet qytetarëve.
Kjo e fundit, duhet të jetë nga një kandidat i vetëm i përbashkët, më i miri dhe me konsensuali mes të djathtëve dhe duhet të jemi të qartë në rrugëtimin e tyre për zgjedhjet e 14 Majit nën siglën e Partisë Demokratike.
Në zgjedhjet e 14 majit, shumë nga kandidatët e primareve mund të regjistrohen në emër të Partisë Demokratike, nëse ata janë më të mirët në zonat e tyre, përveç atyre që e kundërshtojnë këtë veprim dhe që janë me mentalitetin e vjetër ne rrugëtimin e tyre shterp politik.
Një listë cilësore e përzierë për 14 Majin, është shenja e parë nëse Foltorja ka vullnet të bashkohet, apo të shkërmoqet dhe më tej, duke bërë një luftë të pakuptimtë brenda llojit dhe duke mbajtur një çetë revolucionarësh pas vetes pa ide dhe vizion politik për të ardhur në pushtet.
Por mos të harrojmë që, ka në PD njerëz që e duan atë dhe unë jam njëri prej tyre, ku gjatë gjithë prononcimeve dhe intervistave kam artikuluar bashkimin dhe kundërshtinë e proceseve pa kuptim të ndërmarra vitin e fundit. Mos na detyroni të heqim dorë nga dashuria për të! Mos t’ju detyrojnë të bëheni hipokritë, ka mjaftueshëm në treg. Le të ecim para e të bëjmë politikë siç duam dhe siç duhet. Mos na impononi kushte dhe ide që do e çojnë PD-në mbrapa.
Partia Demokratike në zgjedhjet lokale do ketë kandidatin e saj pavarësisht kush do jetë dhe nga do dalë!
PD-ja duhet të ecë përpara dhe data 3 Mars duhet të jetë një ditë reflektimi për të gjithë. Momentalisht jemi të ndarë. Le të ecim para. Po të bashkohemi, le të ndodhë por le të jetë një hap i mirëmenduar për zgjedhjet e 14 Majit e më pas të kalojë në procese të caktuara zgjedhore, ku të bindet dhe demokrati më skeptik. Por jo në këtë formë, jo me hipokrizi, por me vërtetësi, ndryshe do endemi në rrugën pa krye për një kohë të gjatë", deklaron Gjergji Nika, Sekretar i Degës Partia Demokratike Vlorë njëherësh dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së.