Tensione në Kuvend, Mila: Asnjë vendim nuk mund ta largojë vulën e vërtetë që shqiptarët i kanë dhënë këtij fraksioni

Seanca e sotme parlamentare është shoqëruar me tensione dhe ironi të forta, ku mazhoranca ka sulmuar ashpër opozitën lidhur me mungesën e mbështetjes popullore dhe menaxhimin e protestave.
Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila ka marrë fjalën për të theksuar atë që ajo e quajti "tolerancë" të socialistëve ndaj taktikave të vogla procedurale të palës kundërshtare.
Gjatë fjalës së saj, ajo u shpreh se përfaqësuesit e opozitës po përdorin Kuvendin për të marrë hapësirën që u mungon në sheshe, duke i akuzuar se i përzënë vetë qytetarët nga protestat e tyre. Duke i sfiduar hapur, deputetja i bëri thirrje opozitës që të mbledhin njerëzit e tyre nëse vërtet kanë fuqi, duke rikujtuar se populli ua tregoi vendin me votë vetëm pak kohë më parë dhe se ata nuk munden të flasin në emër të qytetarëve.
Pjesa më e nxehtë e debatit kulmoi kur u përmend çështja e shumëpërfolur e personave të shpallur "non grata". Sipas deputetes, asnjë vendim apo retorikë nuk mund ta largojë vulën e vërtetë të "non gratës" që vetë qytetarët shqiptarë i kanë dhënë këtij fraksioni.
Në mbyllje të fjalimit, ajo i është drejtuar personalisht deputetit Flamur Noka, duke e injoruar dhe duke e ironizuar me kërkesën që vëmendjen e ditës së sotme t'ia lërë "doktorit", duke nënkuptuar Sali Berishën.
PËR MË SHUMË NDIQNI PUNIMET E SOTME PARLAMENTARE


