Tabaku: Protesta kundër sistemit të korruptuar dhe arrogancës, shkaqe të pakënaqësisë popullore
Pak para nisjes së protestës qytetare para Kryeministrisë, deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, publikoi një video në rrjetet sociale ku argumenton se pakënaqësia qytetare lidhet me modelin ekonomik dhe sistemin e qeverisjes të ndërtuar gjatë 12 viteve të fundit.
Tabaku, e cila dy vite më parë kundërshtoi ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe iu drejtua institucioneve europiane për këtë çështje, e lidh protestën me atë që e cilëson si një model ekonomik që ka përqendruar pasurinë dhe mundësitë në duart e një pakice.
Sipas saj, ekonomia shqiptare është orientuar drejt ndërtimit dhe sektorit imobiliar, ndërsa prodhimi, konkurrenca dhe sipërmarrja janë lënë në plan të dytë.
“Për 12 vite me radhë kemi folur për vizionin e cunguar ekonomik të Shqipërisë. Një model që nuk prodhon më, që ka përqendruar ekonominë në duart e pakicës dhe ku gjithçka shkon tek ata. Investimet e huaja sot janë pesë herë më të larta në industrinë imobiliare sesa në industritë e tjera”, shprehet Tabaku.
Deputetja demokrate argumenton se ekonomia e mbështetur kryesisht tek ndërtimi nuk krijon zhvillim të qëndrueshëm, nuk nxit konkurrencën dhe nuk u jep mundësi qytetarëve të ecin përpara me meritë.
Sipas saj, protesta që po zhvillohet është një reagim ndaj mungesës së konkurrencës, ligjeve të hartuara për interesa të veçanta dhe arrogancës së një sistemi që favorizon të privilegjuarit në kurriz të shumicës.
“Një ekonomi tullash dhe llaçi që nuk prodhon, nuk punëson dhe nuk krijon mundësi. Është një model që i ka hequr oksigjenin ekonomisë, i ka hequr garën dhe nuk lejon askënd t’ia dalë vetë. Kjo është arsyeja pse protesta e sotme lidhet me sistemin, me konkurrencën e munguar, me ligjet me porosi dhe me arrogancën e të korruptuarve”, thekson Tabaku.
