“Shumica e shqiptarëve, të vendosur të ecim përpara”, Rama: Ku ishin patriotët e protestës kur kërciste gjuetia ilegale?

"Shumica e shqiptarëve është shumë e qartë dhe e vendosur për ta çuar deri në fund këtë mision historik. Shumica sheh edhe atë që ata nuk duan ta shohin, atë që ne kemi bërë për Shqipërinë, për zonat tona rurale dhe flamurin tonë kombëtar.
Është kollaj të marrësh një flamur e ta lidhësh në qafë duke bërë patriotin, duke kënduar këngë, por nuk është aspak e lidhur me patriotizmin dhe frymën e atyre këngëve që ti t’i përdorësh për të sulmuar dhe të bësh çmos të hedhësh baltë ndaj atyre që nuk mendojnë si ti.
Çfarë duan këta patriotët? Ishte një patriot dje që thoshte se Rama i ka ulur qëllimisht biletat që të ikin nga Shqipëria. Çfarë do ky patriot, të rrisim çmimet?
Këtu thuhet gjithçka, por nuk dëgjohet asgjë dhe nuk mbahet përgjegjësi.
Shpërthyen ethet ambientaliste të gjithë shqiptarëve. Ata nuk e dinë që njerëz që kanë qenë në kafene mund të kenë qenë tërë ditën në punë. U zgjuan një ditë e u bënë të tërë ambientalistë.
Ku ishin këta kur në Shqipëri kërciste gjuetia ilegale dhe vriteshin përditë zogj e kafshë? Ku ishin këta kur Shqipëria kishte ligjin e importit të plehrave?
Po bëjnë çmos që ta çojnë në drejtim të paditur nevojën legjitime të shumë njerëzve që u ndjenë përpara një alarmi, ku duhet të dilnin në rrugë për ta ndaluar, sepse morën vesh papritur që ka një plan për ta shitur Shqipërinë", u shpreh Rama.
