SOT, PROTESTA 33/ Në 10:00 para Kuvendit, në 19:00 para Kryeministrisë

SOT, PROTESTA 33/ Në 10:00 para Kuvendit, në 19:00 para

Sot në orën 10:00 organizimi i radhës nga protestuesit kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së drejtuar prej tij.

Qytetarët do të mblidhen para Kuvendit ku do të mbahet edhe seanca e radhës plenare.

Ndërkohë në orën 19:00 do të mbahet protesta masive e 33-të radhazi ku organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve nga i gjithë vendi, por edhe shqiptarëve të diasporës, që t’i bashkohen tubimit në Tiranë.

Grumbullimi i protestuesve është parashikuar të nisë në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas marshimi do të vijojë drejt godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit do të qëndrojnë për të shprehur kërkesat e tyre.

Kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kësaj kërkese, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë masivisht në atë që cilësohet si protesta e 32-të radhazi, që shënon edhe një muaj nga nisja e protestave.

SEANCA PLENARE

Ditën e sotme duke nisur nga ora 10:00, Kuvendi zhvillon seancën e radhës plenare.

Në rend dite për sot janë përfshirë një interpelancë me ministrin e Turizimit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja kërkuar nga deputetja Ina Zhupa.

Po ashtu dhe një seancë pyetje-përgjigje me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu kërkuar nga deputeti Klevis Balliu.

Në rend dite për seancën e sotme janë të përfshira dhe diskutimet për disa projektligje, si ratifikimi i marrëveshjes me BERSH apo për  ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Kombëtar.

Ndërkohë, një gardh metalik është vendosur në hyrjen e Parlamentit, teksa pritet që në orën 10:00 të nisë seanca e sotme.

Po ashtu në orën 10:00 është thirrur tubimi i radhës nga protestuesit, të cilët do të shprehin revoltën e tyre sërish pranë Kuvendit, pas episodeve që u shoqëruan me dhunë policore ditën e martë.

Raportohet se janë marrë masa të rrepta sigurie në zonën përreth Parlamentit, teksa ka një bllokim të zonës së pedonales dhe kalasë së Tiranës, ku mund të kalojnë vetëm deputetët.

Sakaq, deputetë të Partisë Socialiste janë parë që në këtë orë të hyjnë në ambientet e Parlamentit, për të shmangur përballjen me protestuesit.

Në pamjet e siguruara janë pikasur deputetët Igli Hasani dhe Lindita Nikolla deri më tani.

EMISIONET