Sot, Dita Botërore e Teatrit, Blushi rikthen pamjet: Më 14 maj votë për Ndëshkim!
Sot, në Ditën Botërore të Teatrit, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, njeherësh kandidat për anëtar në këshillin bashkiak të Tiranës në zgjedhjet e 14 majit, Tedi Blushi rikthen në vëmendje çështjen e Teatrit Kombëtar, godina historike e të cilit u shemb nga forca e pushtetit.
Përmes rrjeteve, Blushi thekson se në këto zgjedhje vota e kryeqytetasve duhet të vijë edhe si ndëshkim për mazhorancën.
“Teatri Kombëtar, aty ku ishte dhe ashtu siç ishte!
Sot, në Ditën Botërore të Teatrit, shprehim mirënjohjen më të thellë për të gjithë artistët jokonformistë, aktivistët, qytetarët dhe ish-Presidentin e Republikës, Ilir Meta të cilët mbrojtën, i dhanë zë kauzës së Teatrit Kombëtar dhe zgjuan ndërgjegjen shoqërore për një nga krimet më të rënda të Edi Ramës dhe Erion Veliaj ndaj trashëgimisë kulturore dhe historike të Tiranës!
Vlerësim për rezistencën e tyre demokratike në mbrojtje të këtij tempulli të rëndësishëm të artit dhe kulturës, të shembur barbarisht më 17 maj 2020, mes errësirës dhe në periudhë pandemie, duke rrezikuar deri edhe jetët e artistëve dhe qytetarëve!
Shembja dhe shkatërrimi barbar i objekteve të trashëgimisë tonë kulturore dhe historike është një gjenocid kulturor i papranueshëm për identitetin e Tiranës, me përgjegjës kryesor, Kryetarin ende në detyrë të Bashkisë, Erion Veliaj!
Ndaj më 14 Maj: Bashkë për Ndryshim! Votë për Ndëshkim! Bashkë Fitojmë!”, shprehet Tedi Blushi.