Këlliçi: Ja cilat taksa do të ul dhe heq kur të bëhem unë kryetari i bashkisë së Tiranës
Këtë të hënë kandidati i koalicionit "Bashkë Fitojmë" për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi prezantoi planin ekonomik në një takim me biznesin e vogël dhe të mesëm.
Në këtë diskutim, Këlliçi u ka bërë të ditur bizneseve se planet e tij për Bashkinë bazohen në uljen e taksave dhe tarifave vendore, prej të cilave do të ulen me 30% taksa mbi ndërtesat, ajo e truallit dhe e tabelës.
Ndërsa taksa për arsimin do të hiqet plotësisht.
"Do reduktojmë masivisht taksat dhe tarifat vendore sepse paratë marrin vlerë kur mbetet te ju, ju mund ti investoni më mirë dhe më mënçur se administrata burokratike."
Ai premton edhe luftë ndaj informalitetit. Kandidati Këlliçi bën përgjegjëse për këtë qeverinë dhe bashkinë e Tiranës, duke thënë se kjo situatë bëhet e pashmangshme kur tarifat janë absurde.
"Tirana vuan nga hiperinformaliteti, evazioni dhe shmangia e qëllimshme e detyrimeve fiskale kundrejt shtetit. Kjo situatë nuk ka ardhur sot, ajo është agravuar sa herë qeveria qëndrore dhe vendore, si rasti i bashkisë Tiranë, ka rritur taksat dhe tarifat pa asnjë princip logjik apo ekonomik."
Pjesë e planit të tij është edhe transporti falas për të gjithë qytetarët, i cili synon të ulë përdorimin e makinave private dhe nivelin e ndotjes se ajrit në Tiranë.
"Kam deklaruar se transporti publik do të jetë falas dhe kam deklaruar gjithashtu një përmirësim radikal të shërbimit të transportit publik."
Shqetësimit të qytetarëve lidhur me buxhetin e nevojitur për investimet e premtuara, Belind Këlliçi u përgjigjet duke thënë se fondet nuk mungojnë, por ka qenë abuzimi i qeveritarëve ai që ka penguar investimet.
Taksa që do të ulen e do të hiqen sipas Këlliçit:
• Do ul taksat dhe tarifat
• Do luftoj korrupsionin, të ardhurat do rriten
• Taksa për arsimin, bëhet zero
• Taksa e fjetjes në hotel, ulet me 30%
• Taksa e tabelës, ulet me 30%
• Taksa e truallit reduktohet me 30%
• Taksa mbi ndërtesën ulet me 30%
• Hiqet taksa e tokës bujqësore, pjesa e Bashkisë

