Reforma Zgjedhore dhe Territoriale, Dervishi: Të gërshetohet ekspertiza lokale me dëshirat politike

Gazetari Lutfi Dervishi tha sot se për të arritur në një rezultat të dobishëm në punën për reformën zgjedhore dhe atë territoriale, mjafton të ndodhë një gërshetim i ekspertizave.
I ftuar në A2 CNN, Dervishi u shpreh se ka disa elementë që duhet konsideruar, si për shembull minoritetet në komuna e bashki të caktuara të vendit, por në tërësi duhet parë në aspektin e asaj që mund të gjenerojë pasi nuk është arritur ende në thuajse një dekadë.
“Vendi ka ekspertë që e njohin pushtetin lokal. Tani, ideja është se si do gërshetohet ekspertiza që nuk mungon, qoftë lokale, qoftë edhe e huaj, me dëshirat politike. Para dy vitesh, PD-ja paraqiti në komision disa variante me anë të një eksperti të njohur të pushtetit lokal dhe para dy vitesh PS-ja tha "s'kemi nevojë të ndryshojmë asgjë”. Thelbi është ky. Nëse do të bëjmë një reformë, pyetja e parë është kjo: sa bashki kemi ne nga 61 bashkitë, që e mbajnë veten, gjenerojnë të ardhura dhe e mbajnë veten? Asnjë.
A mendojmë ne që do të jetë një pushtet autonom? Në Shqipëri votojmë vetëm për kryetarët e bashkive. Kryetari i bashkisë është i vetmi institucion që zgjidhet drejtpërdrejtë nga njerëzit. Meqë ndërthuren të dyja, anëtarët e Këshillit Bashkiak do duhet të votohen nga njerëzit apo do të jetë thjesht lista e partive? Volumi i ligjeve që do duhet të kalojnë në këto dy vite është tmerrësisht i madh edhe kjo historia e ngarkesës është e mirëqenë, por është edhe e mjaftueshme nëse bien dakord për principet. Së pari, është inventari i saktë.
Karakteristikat historike që duhen ruajtur dhe e treta duhet t'i bësh funksionale. Ndoshta ke ndonjë detyrim për shkak të minoriteteve me një apo dy komuna apo bashki, por pjesa tjetër ka të bëjë me një vullnet politik që hajde ku do jetë kompromisi se çështja për ekspertët është krejt e qartë. Nuk është çështja thjesht tek numrat, por çështja është tek parimet për të cilët duhet të bihet dakort. Dhe nëse mungon komunikimi me publikun, asnjëherë nuk do arrish të marrësh avantazh elektoral kur je në opozitë. Pra, njerëzit sot duhet ta dinë.
Mazhoranca i ka votat. Jemi në një kohë që mazhoranca është arrogante, nuk pyet për Kushtetutën, nuk pyet për ligjin, nuk pyet për rregulloren, nuk pyet për procedurën, nuk pyet për kodet. E ka treguar në të gjitha nivelet që nuk e bën. Çështja është ti çfarë arrin të komunikosh, si do arrish t'i bindësh njerëzit që po varianti që unë po kërkoj është varianti më i mirë. Ke një avantazh të madh, sepse kjo reformë tashmë është në pikëpyetje, domethënë është e dështuar në sensin që brenda 10 vitesh nuk arrin të bëhet dot”,-tha Dervishi.


