"Reforma në drejtësi ka dështuar"/ Shkurti: Përplasjet politike rreth SPAK-ut, shpërqendrim nga përgjegjësia e qeverisë
I ftuar në emisionin e "Ora e Betit" ishte gazetari Armir Shkurti, i cili foli për situatën në drejtësi, rolin e SPAK-ut dhe zhvillimet e fundit politike që përfshijnë kryeministrin Edi Rama dhe ministren Belinda Balluku.
Shkurti e cilësoi reformën në drejtësi si një proces që nuk ka dhënë rezultatet e pritshme, duke përmendur numrin e lartë të dosjeve të prapambetura dhe zvarritjet në gjykata.
“Reforma në drejtësi ka dështuar. Janë rreth 150 mijë dosje stok, disa prej 10 apo 15 vitesh. Ka divorce të bllokuara, çështje pronash, njerëz që presin në qeli pa vendim. Edhe një dosje e vetme e zvarritur është padrejtësi.”- tha ai.
Sipas tij, përplasjet politike rreth SPAK-ut po përdoren për të zhvendosur vëmendjen nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë e qeverisë.
Ai e krahasoi situatën me një “automat elektrik”, ku sipas tij goditja po përqendrohet te figura e ministres Balluku për të mos arritur te kryeministri.
“Vëmendja është përqendruar te Belinda Balluku dhe tek termi ‘hajdut’, ndërsa përgjegjësia largohet nga kryeministri. Është një lëvizje e kalkuluar për të ulur presionin mbi veten.”- shtoi Shkurti.
Shkurti parashikon se dalja e radhës publike e Ramës mund të jetë në dy forma, ose një fjalim me tone të forta emocionale, ose një reagim i shkurtër dhe i ashpër, si në rastet e mëparshme.
Sipas tij, mesazhi do të jetë i njëjtë, shfaqje force në një moment të vështirë politik.
Ai e lidhi situatën edhe me problematika të tjera, si projektet infrastrukturore që nuk po funksionojnë sipas pritshmërive, duke përmendur aeroportin e Kukësit pa fluturime dhe aeroportin e Vlorës ende pa operim të plotë, si dhe akse rrugore të bllokuara.
Ndiqni emisionin e plotë:


