Ranucci i përgjigjet Ramës: Italia po jep 1 mld euro, para publike për emigrantët, sigurisht që me Shqipërinë duhet të bënim llogaritë edhe me korrupsionin
Sigfrido Ranucci, drejtor i programit Report në RAI 3 dhe drejtues i rrjetit publik italian RAI, foli në një intervistë në SYRI TV ku tha se dokumentet që kanë publikuar ata janë dokumente gjyqësore.
Po ashtu, ai theksoi se Edi Rama dhe Engjëll Agaçi kanë refuzuar intervistat.
“Unë sinqerisht e prisja më shumë një reagim në Itali se ne jemi televizion publik që bëjmë investigime të rëndësishme. Merremi me administratën publike. Italia po jep 1 miliard euro para publike për këtë program për emigrantët. Sigurisht me Shqipërinë duhet të bënim llogaritë edhe me korrupsionin.
Ne kemi vepruar mbi bazën e dokumenteve gjyqësore, pra shumë të rëndësishme. Na vjen keq që kryeministri Edi Rama dhe këshilltari i tij juridik, Engjëll Agaçi, nuk e pranuan intervistën. Nuk e kuptoj pse nuk pranuan një intervistë me televizionin publik italian”, tha ai.
Drejtuesi i programit të njohur investigativ Report në RAI3, Sigfrido Ranucci bëri deklarata të forta në intervistën në SYRI TV.
Ai konfirmoi telefonatën që ka bërë Edi Rama me drejtuesit e RAI-t, duke thënë se vetëm Kremlini është ankuar si Edi Rama për programin e tyre.
“Mua më rezulton që ka pasur një telefonatë, por që tonet nuk kanë qenë të ndezura. Nuk e njoh përmbajtjen, di që ka thënë që do dërgoj një letër proteste me sqarime, nga ato që kam lexuar nga agjencitë e lajmeve.
Neve ende nuk na ka ardhur gjë në redaksi. I kemi kërkuar intervistë, por për fat të keq nuk na është dhënë mundësia për të pasur këtë.
Është ajo përgjigjja e shkruar nga Agaçi që kemi publikuar në faqen tonë, që ka konfirmuar lajmin që dhamë që ka qenë përfaqësuesi ligjor i disa klientëve të përfshirë në narkotrafik dhe konsulent në marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët dhe konsulent për operacionin e atëhershëm të gjeneralit Lisi.
Këtë e tha edhe vetë gjenerali Lisi në mikrofonin tonë. Është diçka që ne e morëm parasysh me shumë korrektesë. Agaçi nuk e pranoi intervistën që i kërkuam”, tha gazetari italian.
“Nëse është normale, nuk e di, duhej të më kishte marrë mua në telefon nëse po. Nuk ka ndodhur kurrë një gjë e tillë në të kaluarën.
Edhe Kremlini është ankuar për Report, Lavrovi dikur, ministri i Jashtëm. E ka quajtur armik të Kremlinit pas një reportazhi që kemi bërë për ta. Kemi pasur të njëjtin sulm, telefonata që janë bërë.
Nëse gjithçka do mbetet në një diskutim në nivel cinik, ndërsa në qoftë se ajo telefonatë ka vlejtur si presion, është diçka tjetër. Dhe nuk është e drejtë sepse liria e shtypit është diçka që nuk ka çmim, të gjitha vendet duhet ta respektojnë”, tha ai, duke deklaruar se dokumentet e tyre janë marrë nga aktet gjyqësore.
Zëvendësdrejtuesi i RAI-t, tha se Engjëll Agaçi refuzoi intervistën, kurse për emailin e tij tha se ai vetëm sa shërbeu për të konfirmuar lajmin e tyre.
“Sepse ndërkohë ai email ishte në pritje të marrjes së informacioneve, ishte një konfirmim i informacioneve që kishim, pra ishin të vërteta. Pra është një operacion që kontribuonte për të vërtetën dhe ne donim intervistën sepse në bazë të atyre informacioneve që Agaçi na konfirmoi, ne mund të realizonim intervistën.
Pra, faktet u treguan me konkretësinë e tyre dhe vërtetësinë dhe përputhen në emailin e përgjigjes të dhënë nga zoti Agaçi. Ne kemi zakonin që të vazhdojmë të hetojmë, të investigojmë për ato gjëra për të cilat trajtojmë. Ne do të vazhdojmë punën tonë, do i kthehemi edhe të dielën e ardhshme çështjes së emigrantëve.
Zoti Agaçi tha në emailin e tij se nuk e kuptonte pse po e trajtonim këtë çështje që nuk është me interes. Fakti që një qeveri investon 1 miliard euro për trajtimin e emigrantëve në një vend tjetër me mënyra që janë kontradiktore dhe të qarta, që tregon se kjo është një çështje me interes të madh publik”, tha Ranucci.
“Ne nuk thamë që ka ndonjë gjë të keqe, ne thjesht donim të flisnim me Agaçin për disa dinamika të kësaj marrëveshje. Për Agaçin ne treguam dhe nënvizuam se kush është Agaçi, treguam edhe çështjen me shefin e Interpolit, gjeneralin Lisi, për çështjen e pronave që ishin në pronësi të një trafikanti dhe kaluan për llogari të gjeneralit.
Të gjitha ato që kemi thënë janë nga dokumentacioni gjyqësor. Të gjitha janë fakte që kanë të bëjnë me korrupsionin, të dokumentuara. Edhe për vëllain e kryeministrit Rama, i cili nga aktet gjyqësore i lidhur me ato subjekte që thamë. Ne kemi bërë një punë shumë të qartë të bazuar në dokumente që kemi parë”, theksoi ai.
Gazetari më pas u ndal sërish te emri i Olsi Ramës.
“Disa dokumente për këto fakte i kemi publikuar, i kemi rrëfyer se emri i vëllait të kryeministrit nuk është hetuar. Por nënvizuam faktin se nga këto dokumente dilte se kishte rezultuar të kishte kontakte me narkotrafikantët dhe që përdorej e njëjta makinë, makina e tij.
Gjithashtu që ka pasur kontakte me këto subjekte. Kemi thënë këtë gjë. E kemi thënë të njëjtën gjë edhe për ministrat e brendshëm të mëparshëm. Pra, ne i bëjmë dokumentet tona bazuar mbi dokumentet gjyqësore”, deklaroi drejtuesi i RAI-t.
EMISIONI I PLOTE: