Rama shkarkon drejtorin e SHISH-it, Helidon Bendo, Begaj hedh firmën

Presidenti, Bajram Begaj, ka dekretuar shkarkimin e Helidon Bendos nga detyra e drejtorit të SHISH. Vendimi është marrë më propozim të kryeministrit Edi Rama, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruan se Bendo ka dhënë dorëheqjen për shkak të studimeve në SHBA, por do të vijojë të jetë këshilltar i qeverisë. Nga ana tjetër, drejtimin e SHISH tashmë e merr zv/drejtori, Oljan Kanushi.

Drejtori i Shërbimit Informativ, Helidon Bendo, është shkarkuar nga detyra.

Lajmi u bë publik nga zyra e presidentit Bajram Begaj, e cila publikoi dekretin e Kreut të Shtetit për lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Sekret.

Presidenca bën me dije se vendimi është marrë me propozim të Kryeministrit.

Vetë kreu i qeverisë, Edi Rama, ka shpjeguar edhe arsyet e kësaj lëvizje, duke shtuar se titullari i deritanishëm i SHISH, do të jetë këshilltar i tij.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se për arsye të vazhdimit të studimeve pasuniversitare në Kolegjin e Studimeve Ndërkombëtare e të Sigurisë, pranë Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara, Helidon Bendo, ka dorëzuar dorëheqjen.

Sipas Ramës, ai do të angazhohet në vijim si këshilltar i Kryeministrit për reformën e institucioneve të sigurisë.

Helidon Bendo u emërua në detyrën e drejtorit të SHISH më 5 nëntor 2018.

Ky emërim erdhi pas një karriere të gjatë të Bendos në SHISH, ku kishte punuar si inspektor  që nga në viti 1995.

Pas largimit të Visho Ajazi Likës, që ishte emëruar në Shërbimin Seckret në kohën e qeverisjes së PD-së, emërimi i Helidon Bendos në krye të SHISH erdhi pas përzgjedhjes së emrit të tij nga kryeministri Edi Rama.

Pas largimit nga detyra të Bendos, drejtimin e Shërbimit Sekret do ta marrë zëvendësdrejtori Oljan Kanushi.

Njoftimi i Presidencës

Presidenti Begaj dekreton lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar, Zotit Helidon Bendo

D E K R E T

PËR LIRIMIN NGA DETYRA TË DREJTORIT TË SHËRBIMIT INFORMATIV KOMBËTAR

Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, paragrafit 2, të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, të ndryshuar, me propozim të Kryeministrit,

D E K R E T O J :

Zoti Helidon Bendo, lirohet nga detyra e drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar.

Dekret nr. 13887

Tiranë, më 23.12.2022                                                                        

BAJRAM BEGAJ

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

EMISIONET