Rama nuk kursehet ndaj Shoqatës së Prokurorëve: Absurde kërkesa për pagat, flisni për arrestet pa gjyqe që kanë njollosur Shqipërinë botërisht

Rama nuk kursehet ndaj Shoqatës së Prokurorëve: Absurde

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me deklaratën e shpërndarë sot nga Shoqata e Prokurorëve, lidhur me debatin për rritjen e pagave të magjistratëve.

Në një postim në rrjetin social “X” Rama shkruan se pavarësisht nga sa përpiqet të interpretohet, nuk do të ketë ulje pagash për këtë kategori.

Reagimi i plotë:

"Paska dalë edhe një shoqatë prokurorësh e re - ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, po brenda afatit për regjistrim - e cila ka deklaruar solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve, duke kërkuar “që të mos ulen pagat”!!! Pra, orvajtja absurde e kategorisë më të privilegjuar të piramidës së pagave të shtetit shqiptar, për t’ia rritur akoma më shumë pagat vetes me gjyq, tani na del si përpjekja e një grupi të diskriminuar nga qeveria, për të ndaluar uljen e pagave!!! A e kuptoni apo jo se çfarë quhet “ulje pagash” në fillin e çuditshëm të këtij arsyetimi? 

Mosngritja e pagave aq sa duan shoqatat e gjyqtarëve!!! Pra, shqip, një pagë që s’më ngrihet sa ç’dua unë, është një pagë e ulur!!! Duket totalisht e pabesueshme, po është shumë fatkeqësisht e vërtetë!  Absurditet total pra, sepse vetëm s’ka pasur asnjë tentativë, po as nuk i ka shkuar mendja askujt për të ulur pagat e gjyqtarëve! Madje kaq e madhe është vëmendja e qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor, sa prej thuajse një viti tanimë po punojmë për të mundësuar ndërtimin e një Poli Drejtësie, si askund në Ballkan, që edhe kushtet e punës së trupës së drejtësisë të jenë njësoj si pagat, më të mirat në rajon! 

Por ndërkohë, s’mund të rri dot pa i shtruar një pyetje kësaj shoqatës së re: Po për shqelmimin e vazhdueshëm si askund në Europë të prezumimit të pafajësisë dhe kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, duke na renditur si dele të zezë në bisht të kontinentit europian dhe kthyer në subjekt publik shqetësimi të Komitetit të Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës,  a keni ndonjë gjë për të deklaruar?!

EMISIONET