SHBA vendos tarifa të reja ndaj 60 partnerëve tregtarë, preken BE-ja, Kina, Britania, Japonia dhe India

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tarifa të reja ndaj 60 partnerëve të tyre më të mëdhenj tregtarë, në kuadër të politikës për kufizimin e importeve të mallrave të prodhuara me punë të detyruar. Masat kanë hyrë në fuqi këtë të premte dhe prekin disa nga ekonomitë më të mëdha në botë.
Tarifat variojnë nga 10% deri në 12.5% dhe zëvendësojnë taksën e përkohshme prej 10% mbi importet, e cila ishte vendosur në fillim të këtij viti.
Mes vendeve të prekura janë Bashkimi Evropian, Kina, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Japonia dhe India.
Sipas administratës amerikane, vendet që kanë ndërmarrë masa për të ndaluar importin e mallrave të prodhuara me punë të detyruar do t'i nënshtrohen tarifës 10%, ndërsa ato që nuk kanë marrë angazhime të tilla do të përballen me tarifën 12.5%.
Të dhënat e Zyrës së Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së tregojnë se tarifat mbulojnë 60 partnerët kryesorë tregtarë, të cilët përfaqësojnë rreth 99.4% të importeve amerikane. Deri më tani, dhjetë vende kanë pranuar të zbatojnë kufizime për importet e prodhuara me punë të detyruar.
Vendimi ka sjellë reagime nga disa vende. Brazili e cilësoi masën të pajustifikuar dhe paralajmëroi kundërmasa. Japonia shprehu keqardhje, ndërsa Australia njoftoi se do të vijojë përpjekjet diplomatike për heqjen e tarifave.
Nga ana tjetër, Kina hodhi poshtë akuzat për përdorimin e punës së detyruar, ndërsa organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut vijojnë të raportojnë raste të tilla, veçanërisht në rajonin e Xinjiangut.
Tarifat e reja janë pjesë e politikës tregtare të administratës së presidentit Donald Trump, e cila synon përdorimin e detyrimeve doganore si instrument në marrëdhëniet ekonomike me partnerët ndërkombëtarë.


