PROTESTAT E VAZHDUESHME/ Balliu: Rinia po kërkon një Shqipëri të re, të çliruar nga ndikimet politike
Avokatja Alesia Balliu ishte e ftuar në studion e Ora News, ku komentoi protestat e zhvilluara ditët e fundit në disa qytete të vendit dhe pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve, veçanërisht të të rinjve.
Sipas saj, protestat kanë ardhur si reagim ndaj pakënaqësive të grumbulluara prej vitesh në fusha si shëndetësia, arsimi dhe sistemi i drejtësisë.
Ajo u shpreh se qytetarët po kërkojnë ndryshime dhe një mënyrë të re qeverisjeje që të mos jetë e lidhur me korrupsionin apo interesa të ngushta politike.
“Është një protestë kundër arrogancës së qeverisë dhe një reagim ndaj problemeve të përditshme të qytetarëve. Në shëndetësi, arsim dhe në ligj ka shumë pakënaqësi. Qytetarët kërkojnë një Shqipëri të re, të çliruar nga ndikimet politike dhe nga individë të përfshirë në afera korruptive. Pjesëmarrja e rinisë është elementi më i rëndësishëm, sepse rinia po kërkon ndryshim.”-tha Balliu.
Ajo shtoi se protestat kanë treguar qëndrueshmëri dhe masivitet, ndërsa pjesëmarrja e të rinjve është një sinjal i fortë për ndryshim në të ardhmen.
“Rinia është motori i këtyre protestave. Kur të rinjtë angazhohen, ndryshimi është i pashmangshëm. Reagimet e ashpra në rrjete sociale tregojnë një shqetësim në rritje nga ana e pushtetit, sepse qytetarët po shprehin hapur pakënaqësitë e tyre dhe nuk po heshtin më.”-shtoi avokatja.


