Protesta jashtë Parlamentit, Bardhi kritikon policinë: Kuvendi është blinduar sikur qytetarët të ishin k*rcënim
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar nga Kuvendi për situatën e krijuar jashtë godinës së Parlamentit, ku vijon protesta e opozitës dhe përplasjet mes qytetarëve dhe policisë.
Bardhi i ka kërkuar policisë të ndalojë ndërhyrjet ndaj protestuesve, duke u shprehur se qytetarët nuk përbëjnë kërcënim për deputetët dhe institucionin e Kuvendit.
"Dua t’i kërkoj policisë së shtetit që të ndalë dhunën. Është blinduar Kuvendi sikur do të na rrezikojnë ne qytetarët. Nuk duhet të ndihemi të rrezikuar nga kritikat e qytetarëve dhe nga kërkesat e tyre."-tha ai.
Bardhi ka kritikuar masat e sigurisë të vendosura rreth Parlamentit, duke thënë se qytetarët duhet të dëgjohen për kërkesat e tyre dhe jo të përballen me dhunë.
Në fjalën e tij, ai iu drejtua edhe deputetit socialist Taulant Balla, duke ironizuar shqetësimin e tij për dëmtimin e mundshëm të veshjes gjatë protestës.
"Ti që ke hall kostumin se e ke të shtrenjtë, duhet të verifikosh edhe ku i ke gjetur lekët për atë kostum."-u shpreh deputeti i PD-së.
Bardhi u shpreh se protestuesit kanë kërkuar ndryshime ligjore dhe reagim institucional, ndërsa sipas tij politika duhet t’i marrë seriozisht këto kërkesa.


