Premtimi i Ramës: Brenda 2 viteve synojmë ta çojmë pagën mesatare në 900 euro

Brenda dy javësh qeveria do të miratojë reformë të plotë të pagave.

Ndryshe nga më parë, deklaratën për vendimet e qeverisë këtë të mërkurë e bëri kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se brenda dy vitesh rroga mesatare do të shkojë 900 euro në muaj, por duke prekur të gjithë skemën.

Madje duke sfiduar vendet e tjera ai shprehet se kjo do të prekë dhe privatin.

Rama: Tani më kemi në dorë një plan shumë ambicioz por njëkohësisht dhe të arsyeshëm për një rritje pagash e cila synon të mundësojë ngritjen në harkun e këtyre 2 viteve, pra 2023, 2024 të Shqipërisë në nivelin e lartë të rajonit. Synon të realizojë një target të një page mesatare prej 900 eurosh. Kjo do të thotë se jemi në kushtet e një mundësie të re, një mundësi që do ta shfrytëzojmë maksimalisht në të mirë të njerëzve, familjeve dhe pas rritjes së pagës minimale mund të shkojmë drejt rritjes të pagës mesatare.

Do të kemi së shpejti rritje për një pjesë të shkallëzuar. Detajet do i diskutojmë pas aktit të miratimit që vjen brenda 10, 15 ditëve të ardhshme. Kemi thënë dhe do i qëndrojmë zotimit për rritjen e pagës së mjekëve dhe të infermierëve me 7% këtë vit, ndërkohë që mjekëve specialistë iu rrit me 50 mijë lekë.

Pas të njëjtës mbledhje Rama shprehet se u vendos dhe shpërblimi i pensionistëve.

Në fakt hapja e fondeve vjen vetëm 45 ditë para votimeve bashkiake. Por kreu i qeverisë shprehet se kjo nuk ka lidhje me përcaktimin e kodit zgjedhor, teksa e pranon se në ndalimin e shpërndarjes së buxhetit 4 muaj para zgjedhjeve ndalohen.

Përballë gazetarëve Rama nuk pranoi të fliste as për qëndrimin pezull të emrit të kreut të ri të SHISH, që më parë e ka shkarkuar Albin Kurti.

E po të njëjtën përgjigje dha dhe për hetimin e Arben Ahmetaj.

EMISIONET