“Po i mbyllni zërin opozitës”/ Kapri flet në Kuvend për përjashtimin e Shehajt: Ky nuk është parlament, është një fasadë
Seanca plenare e Kuvendit nisi me përplasje politike, ndërsa deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ishte i pari që mori fjalën duke kritikuar vendimin për përjashtimin e kreut të kësaj force politike, Agron Shehaj, nga punimet parlamentare.
Kapri u rikthye në sallën e Kuvendit pas 20 ditësh përjashtim dhe e vendosi në qendër të fjalës së tij masën ndaj Shehajt, i cili sipas tij është mbajtur jashtë punimeve për tre muaj.
“Kthehem në sallë pas 20 ditësh përjashtim, që nuk e kërkoj pse u përjashtova. Më e rënda është që Kuvendi, me dhunën e kartonëve të kuq, ka përjashtuar edhe Shehajn për 30 ditë të tjera. Në total, kreu i një partie politike ka munguar 3 muaj, pra 1/3 e kohës”, u shpreh Kapri nga foltorja e Kuvendit.
Sipas tij, vendimet e marra ndaj deputetëve të opozitës cenojnë funksionimin normal të parlamentit.
“Nëse mendoni se ky është parlamentarizëm, është patetizëm. Sot qytetarët janë në shesh dhe kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe shpërbërjen e Kuvendit”, tha deputeti.
Kapri ngriti gjithashtu pretendime për pengim të kërkesave të opozitës për interpelanca, duke kërkuar respektimin e të drejtave të deputetëve.
“Sapo u informova për letrat ku kërkesat tona për interpelanca janë anuluar. Si mund të ndaloni deputetët të flasin dhe të shkelni Kushtetutën në këtë pikë? Ky nuk është as parlament dhe as parlamentarizëm”, deklaroi ai.
Në pjesën e fundit të fjalës së tij, Kapri komentoi edhe masat e sigurisë pranë godinës së Kuvendit, duke kritikuar praninë e madhe të policisë.
“Kuvendi është blinduar nga policia edhe pse nuk ka asnjë protestues, sepse ju trembeni nga vezët. U trembët ju!”, u shpreh Kapri.
Deklaratat e deputetit vijnë në një seancë ku vijojnë përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me masat disiplinore ndaj deputetëve dhe zhvillimin e punimeve parlamentare.


