Integrimi i Shqipërisë, PE: Korrupsioni, shqetësim i madh që kërkon adresim! Drafti për (mos)pezullimet, tejet shqetësues

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian diskutoi projektrezolutën për Shqipërinë, që vlerëson ecurinë e vendit drejt anëtarësimit në BE, por thekson edhe sfidat me të cilën përballet vendi.

Raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder,në cilësinë e hartuesit tha se korrupsioni mbetet shqetësim.

“Korrupsioni mbetet shqetësim i madh që kërkon adresim.”

Në këtë panoramë raporteri Schieder foli edhe për klimën e tensionuar politike, ndërsa tha se mbyllja e kapitujve në 2027 është e arritshme.

“Klima politike nuk është më e mira e mundshme. Sidomos javët e fundit, ka pasur një radikalizim të fortë për ta bërë politikën në rrugë dhe jo në sallën e Parlamentit. Prioritet tani duhet të jetë mbyllja e kapitujve të negociatave me ndryshim konkret. Objektivi për 2027-ën është shumë më i arritshëm.”

Kreu i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, David McAllister, inkurajoi dialogun politik, ndërasa përsëriti qëndrimin se protestat e dhunshme nuk janë zgjidhje.

McALLISTER: “Ne kemi parë progres në Shqipëri. Protestat e dhunshme nuk janë të pranueshme në një shoqëri demokratike.”

Cështjet që lidhin poltikën dhe drejtësinë, lufta ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe pavarësia e gjyqësorit ishin të tjera tema për të cilët eurodeputetët mbajtën qëndrime.

Eurodeputeti Andrey Kovatchev ngriti shqetësimin për nismën e socialistëve për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale për pezullimin.

Kovatchev: “Jam i shqetësuar për amendamentet në Kodin e Procedurës Penale për të mbrojtur zyrtarët nga pezullimi kur janë nën hetim.”

Thomas Waitz në anën tjetër theksoi se Prokuroria e Posaçme ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për luftën kundër korrupsionit në nivele të larta.

Waitz: “Pavarësia e gjyqësorit është pikë kyçe dhe avancimi duhet të vijojë. Fakti që SPAK-u ka pasur kapacitetin që të arrestojë zyrtarë të nivelit të lartë tregon se ka kapacitet dhe kjo është një shenjë shumë e mirë. Na duhet të shohim më shumë gjithëpërfshirje, sidomos të shoqërisë civile.”

Eurodeputeti Marco Tarquinio ngriti shqetësimin e numrit të lartë të të paraburgosurve në Shqipëri.

Tarquinio: “Vendi ka gati 60% të njerëzve në burg të paraburgosur, pra pa një vendim të formës së prerë. Një shifër shumë e madhe.”

Përfaqësuesja e Komisionit Evropian theksoi se reforma elektorale dhe polarizimi politik janë aktualisht shqetësime serioze.

Raporti për Shqipërinë pritet të diskutohet sërish nga mesi i muajit të ardhshëm, pasi eurodeputetët kanë kohë deri më 12 mars për amendamente.

EMISIONET