OSBE për Reformën Zgjedhore: Të zbatohen rekomandimet para zgjedhjeve të ardhshme
Shqipëria nuk duhet të humbasë më tepër kohë dhe duhet të finalizojë dhe zbatojë rekomandimet e OSBE/ODiHR para zgjedhjeve të ardhshme.
Kjo është thirrja e këtij institucioni që vlerëson riaktivizimin e komisionit parlaemntar
OSBE/ODIHR vlerëson riaktivizimin e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore në vend, por thekson se pa humbur kohë duhen përdorur mundësitë aktuale për t'i finalizuar dhe zbatuar rekomandimet.
“Është inkurajuese të shohësh përparimin që Shqipëria ka bërë në shumë fusha dhe sa të hapura janë autoritetet për t'u angazhuar me rekomandimet e ODIHR-it,” shprehet kreu i ODIHR Matteo Mecacci, i cili shton se për fat të keq, nuk po sheh përparim në reformat ligjore të nevojshme për propozimet e tyre.
ODIHR ka bërë një sërë rekomandimesh pas zgjedhjeve të fundit për të përmirësuar procesin demokratik.
Një numër prej tyre kërkojnë ndryshime si në legjislacion ashtu edhe në zbatim.
Rekomandimet prioritare theksojnë nevojën për të forcuar më tej efektivitetin e administratës zgjedhore, mbikëqyrjen e financave të fushatës dhe rregullimin e mediave si dhe marrjen e masave shtesë kundër keqpërdorimit të burimeve publike dhe shkeljeve të tjera.
Gjatë vizitës së tij dyditore në Tiranë këtë javë, Drejtori i ODIHR-it, Matteo Mecacci, u takua me Presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama, anëtarë të opozitës si edhe Komisionerin Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.
OSBE ODIHR ka shprehur serish gatshmërinë për të mbështetur autoritetet dhe të ndihmojë komisionin parlamentar ad-hoc për reformën zgjedhore në çdo mënyrë për të arritur finalizimin e ndryshimit të Kodit Zgjedhior.
Zyra ofron gjithashtu një analizë të thellë ligjore të kodit zgjedhor ose të çdo ndryshimi të propozuar në legjislacionin përkatës.

