Optimizëm për pensionet me Italinë, Nikolla për Ora News: Vullnet mes palëve për të finalizuar marrëveshjen
Gjatë një vizite dy ditore në Itali, kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla u shpreh optimiste se pakti për pensionet e emigrantëve i hartuar nga ish-kryeministri Mario Draghi do të finalizohet gjatë qeverisjes së re nga Georgia Meloni. Ajo zhvilloi takime edhe me kryetarët e dy dhomave të parlamentit italian.
"Mes Italisë dhe Shqipërisë ka një vullnet e dëshirë për të vazhduar procesin e finalizimit të marrëveshjes për pensionet".
Kështu është shprehur kryeparlamtarja Lindita Nikolla për Ora Neës në Romë, ku ndodhet për një vizitë dyditore, ku ka zhvilluar edhe takime me kryetarët e dy dhomave të parlamentit italian.
Plani i kësaj marrëveshje u hartua nga ish-kryeministri Mario Draghi, i cili ia pasoi qeverinë Georgia Melonit duke mos e finalizuar atë.
Nga ana tjetër kryeparlamentarja Nikolla shprehet optimiste se pensionet e emigrantëve shqiptarë do të njihen, pasi siç thotë ajo, edhe pala italiane, sipas Nikollës është e gatshme për bashkëpunim.
"Unë jam takuar si me kryetarin e Dhomës së Deputetëve Lorenzo Fonata ashtu dhe me kryetarin e Dhomës së Senatit Ignazio La Russa. Ne komunikuam dhe për këtë cështje dhe u shpreh gatishmëri për të progresuar më tej për finalizimin e kësaj marrëveshje."
Fondi special i arritur falë amendamentit të hartuar e propozuar nga senatori Tomaso Nannicini, më 24 dhjetor 2021, u aprovua si dhe në Dhomën e Senatit dhe në Dhomën e Deputetëve të legjislaturës së shkuar italiane.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.