OPOZITA SËRISH NË SHESH/ Çfarë pritet të ndodhë sot përpara Kryeministrisë? Ja skenari i PD-së

OPOZITA SËRISH NË SHESH/ Çfarë pritet të ndodhë

Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pritet të ndizet këtë pasdite një tjetër përballje politike mes opozitës dhe qeverisë.

Në orën 18:00, përpara godinës së Kryeministrisë, opozita ka thirrur protestën kombëtare të rradhës, duke e cilësuar atë si një betejë të hapur kundër korrupsionit dhe arrogancës së pushtetit.

Ndërkaq, PD proteston për largimin e kryeministrit Edi Rama.

Partia Demokratike e paraqet këtë tubim si reagim qytetar ndaj pandëshkueshmërisë dhe kapjes së institucioneve.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive nga e gjithë vendi, duke e konsideruar protestën si një moment vendimtar për të ardhmen politike dhe demokratike të Shqipërisë.

Sipas paralajmërimeve, aksioni opozitar pritet të vijojë dhe të intensifikohet nëse nuk ka reagim nga mazhoranca.

Tubimi i sotëm vjen në një klimë të tensionuar, pas precedentëve të mëparshëm.

Rikujtojmë se në protestën e 10 shkurtit, që zgjati rreth tre orë, demonstruesit marshuan nga Kryeministria drejt Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa pati përplasje të forta me policinë.

U hodhën lëndë piroteknike, molotovë dhe gurë, ndërsa forcat e rendit ndërhynë me ujë dhe gaz lotsjellës, duke kryer edhe arrestime.

Edhe për tubimin e kësaj të premteje priten masa të shtuara sigurie. Situata mbetet e ndjeshme, duke rikujtuar sulmet e protestës së kaluar ku pati përplasje të forta midis tubuesve dhe efektivëve të policisë.

EMISIONET