Olta Xhaçka flet pas dy orësh në SPAK: Akuzat ndaj meje shpifje, janë mirëmenaxhuar asete të ndryshkura të ushtrisë
Shpifje dhe alarm i rremë, kështu i ka cilësuar Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, akuzat për tjetërsimin e aseteve të Forcave të Armatosura dhe përdorimin e mjeteve të ushtrisë në fushatë elektorale. Ish-ministrja e Mbrojtjes dëshmoi për mbi dy orë në SPAK në lidhje me hetimet që po zhvillon kjo strukturë.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, dëshmoi për dy orë në Prokurorinë e Posaçme. Denoncimin e ish zv.komandantit të Forcës Detare, Artur Meçollari, për keqmenaxhimin e pronave të Forcave të Armatosura, ashtu si akuzat e bëra për përdorimin e aseteve të ushtrisë në fushatë, ish-ministrja e Mbrojtjes i cilësoi shpifje.
"Jam thirrur për ato akuza që i ka bërë opozita në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes në kohën kur e kam drejtuar. Padiskutim që unë jam në dispozicion të drejtësisë."
Në lidhje me çështjen e menaxhimit të aseteve të ushtrisë, Xhaçka tha se alarmi për abuzime është fals.
"Është e mirëseardhur dita për mua kur do të marrin përgjigje nga drejtësia edhe shpifje të ulëta si ajo e përdorimit të aseteve publike për arsye elektorale por edhe alarmi fals që asete, të cilat për fat të keq kanë qëndruar mes ndryshqeve, do të kthehen sot në asete me vlerë siç është rasti i portit të Sarandës".
Për Ministren e Jashtme, ajo që ka ndodhur me bazën e Forcës Detare të Sarandës, jo vetëm që nuk është abuzim, por është vendosje në efiçencë dhe zhvillim.
"Nuk ndryshon as baza detare që do të jetë më e mirë, si një bazë ndihmëse në funksion të Forcave të Armatosura dhe flotës detare, por edhe vendit do ti jepet një port turistik për zhvillimin e ekonomisë."
Më herët në SPAK janë marrë në pyetje ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, njëherësh deputet i PS-së, Bardhyl Kollçaku dhe ish-zv.komandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari, i cili ka denoncuar se asete të ushtrisë po tjetërsohen pasi janë dhënë për shfrytëzim nga privatët.