“Nuk ndalet rruga drejt BE në 2030”, Rama: Edhe nga kjo krizë ka gjëra për të mësuar dhe reflektuar

“Nuk ndalet rruga drejt BE në 2030”, Rama: Edhe nga kjo

Një krizë për të nxjerrë mësime para hyrjes së Shqipërisë në BE. Kështu e ka konsideruar kryeministri Edi Rama “revolucionin e flamingove” në një intervistë për agjencinë ItalPress. Mësimi kryesor që Rama mendon se duhet nxjerrë nga kjo protestë, është mënyra se si mund të arrihet në konsensus.

“Siç thoshte Winston Churchill, nuk duhet humbur kurrë një krizë e mirë. Besoj se ka gjëra për të mësuar, për të reflektuar, por ndërkohë askush nuk mund ta ndalojë procesin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Koha e humbur para se të arrihet në një qëndrim të përbashkët është problemi i vërtetë që duhet të adresojmë”, tha Rama.

Për kryeministrin, protesta e cila po hyn në javën e katërt ka hyrë në fazë paradoksale, dhe është një betejë e harxhuar kohe, për përplasje politike.

“U bë shumë zhurmë për diçka që, në fund të fundit, nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje e bërë me mirëbesim, një tentativë për të gjetur një drejtim dhe zgjidhje. Fakti që sot kjo është pranuar nuk është një fitore, por një shembull tjetër i kohës së humbur në beteja që shpesh nuk janë as beteja të vërteta, por përplasje të kota në arenën publike,” u shpreh ai.

I bindur tashmë, se protesta nuk ka patur për qëllim mbrojtjen e flamingove, por nisi dhe do të përfundojë si një betejë kundër Presidentit të SHBA.

“Fatkeqësisht, sot çështja ka shkuar përtej kësaj dhe njerëzit nuk po flasin më as për flamingot. Flamingot janë bërë një simbol i dobishëm për ata që duan ta çojnë këtë histori në skenën ndërkombëtare. Nëse në nivel lokal bëhet fjalë për një çështje që përfshin grupe të ndryshme të shoqërisë, përfshirë opozitën, në nivel ndërkombëtar ajo shndërrohet në një betejë kundër Donald Trumpit,” shtoi Rama.

Sa për projektin në Zvërnec e Sazan, Rama siguroi se ende mbetet në fazë negociatash dhe nuk ka hedhur asnjë firmë në letër.

“Nëse më akuzojnë se ua kam dorëzuar këto toka dikujt ose se kam dëmtuar një pjesë të bukur të bregdetit shqiptar, atëherë le të sjellin prova. Deri tani, megjithatë, nuk është paraqitur asnjë provë. Askush, deri më sot, nuk ka vërtetuar asgjë. Nuk ka prova sepse procesi është ende në zhvillim,” tha ai.

EMISIONET