Njerëzit e Bashës sulmojnë deputetët dhe gazetarët, “çudit” Alibeaj: Nuk kishte dhunë në mbledhjen e Kryesisë

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj  habit me deklaratat e tij teksa thotë se në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike të cilën ai e drejtoi deri në përfundim të zgjedhjeve të 14 majit, nuk pati dhunë nga njerëzit e Lulzim Bashës i cili nuk po gjen dot rrugën e duhur të rikthimit në skenën politike.

Alibeaj ka folur për mediat para se të hynte në seancë plenare, teksa theksoi se nuk ka pasur asnjë dhunë, por vetëm fjalë.

“Qëndrimet emocionale mos i merrni. Deri diku po (U pyet nëse edhe Bardhi pati një qëndrim emocional). Në mbledhjen për aq sa zgjati, ane prej anëtarëve të kryesisë nuk ka qenë në presion. Unë isha në mbledhje, po them atë që mendoj dhe perceptoj unë. Ka pasur qëndrime të ndryshme, ku kanë brenda emocione dhe tensione. Por nuk është kërcënim. S’ka pasur presion. Ju mund ta perceptoni kështu. Nëse ju e konsideroni veten anëtarë të Kryesisë, edhe mundet. Kryetarët e degëve janë PD, ata që në 8 janar ishin në mbrojtje të deputetëve. Jua kërkoj unë ndjenjën nëse kjo është pak…ose jua them dhe dy herë. Por ju kërkoj të nxirrni atë që është problemi kryesor. Në mbledhjen e Kryesisë është thënë opinioni i gjithsecilit për mënyrën se si duhet të ecë përpara PD-ja.

Unë jam me idenë sipas rregullave të Kryesisë, mbledhjet nuk duhet të dalin në publik. Është një lloj solidariteti, ruajtje e privatësisë, e megjithatë për sa kohë është çështje publike, do duhet që PD-ja një orë e më parë të marrë formën e plotë të funksionimit të saj. Zgjatja e drejtimit të saj edhe me kryetar të komanduar, nuk ishte zgjedhja më e mirë. Ka qenë një vendim i Kryesisë dhe grupit parlamentar. Do duhet të heqim dorë dhe nga historia që fati i një partie vendoset nga emri individual i një njeriu. Rregulli është të vendosim rregulla në statut që e bëjnë jo të domosdoshëm, jo determinant se cili është kryetari i partisë. Unë propozova një statut të ndryshuar, një kuvend të jashtëzakonshëm në shtator. Unë mbështes një parti me rregulla statutore demokratike me pushtete të ndara. Me pushtete që kontrollojnë kryetarin, me pushtete që delegohen”, tha Alibeaj.

Ai tha se ndonëse situata ka qenë jonormale, demokratët janë dhe duhet të fillohet nga një pikë.
“E pranoj që kemi qenë në një situatë jonormale, shumë nga strukturat tona janë gjymtuar. Por ka një moment nga i cili do duhet ta fillojmë ta ndërtojmë në mënyrë optimale. Ky është një moment që ato struktura që janë dhe ato që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 14 majit, për këto besoj që demokratët janë, anëtarësia është, një afat është lënë”, u shpreh Alibeaj.

Interesimit të mediave për kandidimin e ish-kryetarit Basha, Alibeaj iu përgjigj se do jenë anëtarët e PD-së ata që do e vlerësojnë.

“Interesi i publikut janë zgjedhjet e 2025. Kërkohet një rindërtim i PD-së, legjitimim i strukturave. Kryetar do jetë ai që do votojnë demokratët. N.q.s kemi arritur në situatën si para viteve 90 kur u thuhej ca njerëzve që s’keni të drejtë të kandidoni…gara është. N.q.s do të jetë një garë jo e barabartë, jo transparente, pa debate, ku të favorizohet njëri dhe defavorizohet tjetri, mund të kesh të drejtë.

T’ia lëmë anëtarëve të PD-së ta vlerësojnë ata. Pse nuk keni besim tek opinioni i demokratëve? Kosto për Shqipërinë është fakti që ky vend nuk po shkëputet dot nga e shkuara 30-vjeçare. Kjo që po ndodh sot në PD-në është ajo që po ndodh me shoqërinë shqiptare. Një nga kërkesat më të mëdha që duhet të bëni, është si të distancohemi nga e shkuara”, deklaroi Alibeaj.

Sherre për zgjedhjen e kryetarit që ka siglën e vulën

Dy orë pas mesnate dhe pas nëntë orë debatesh të forta, Partia Demokratike e cilësuar zyrtare vendosi me 17 vota të zgjedhë me urgjencë kryetarin e ri.

Propozimet nuk sollën konsensus, por persona nga jashtë Kryesisë u futën në ambiente dhe ushtruan presion.

Grupi që kërkoi analizë e më pas zgjedhje në degë e më tej te kryetari u larguan para kohe nga mbledhja, por sërish nuk i shpëtuan kërcënimeve

Të njëjtët persona nuk nguruan të ngrinin zërin ndaj gazetarëve, madje edhe duke i kërcënuar.

Debatet në orën 2 pas mesnatës u pasuan me deklarata jashtë saj.

Jonila Godole: U thashë kujdes kolegë sepse duhet të bëjmë një analizë dhe të mos nxitojmë për të zgjedhur dhe për të bërë votimin për kryetar. Nuk është puna tek kryetari, por PD duhet të tregojë se është parti ndryshe nga partitë e tjera. Një parti e hapur, një parti që mëson nga gabimet e veta, analizon humbjen dhe analizon thellë. Pasi të kemi mendimin e bazës të analizojmë të dhënat dhe të nxjerrim disa mësime. Çfarë nuk shkon me Partinë Demokratike që e kanë votuar vetëm 100 mijë veta?”

Roland Bejko: “Nuk e di si do të vazhdojë më tej. Di të them që për 8 orë u diskutua nga të gjithë anëtarët dhe besojmë se gjithsekush dha versionin e tij për mënyrën sesi e ka parë PD deri më sot nga një vit që kur është larguar Basha. Unë i përfshiva të dy propozimet si atë të grupit parlamentar dhe atë të kryesisë, i përputha në një. Nuk u ra dakord për faktin se muaji gusht nuk bëhen dot zgjedhjet në parti. Kur u kërkua që të bëhej votimi, u largua sekretari i përgjithshëm nuk e mora vesh sesi iku, u larguan edhe disa deputetë. Të vish dhe të imponohesh që në rast se propozimi im nuk miratohet unë largohem kjo nuk është mirë për PD. Veprimi që u bë ishte i tillë, nëse nuk merrem parasysh “çohem dhe iki”.

Braktisja e mbledhjeve nga ana e deputetëve dhe ndonjë anëtari tjetër ishte i tillë, që në rast se nuk merret parasysh çfarë ne duam çohemi dhe ikëm. Tek pika 5 e propozimit që ka bërë grupi i PD thuhej që nëse nuk do ketë një zgjidhje konsensuale në do ta shkojmë veten jashtë procesit. Edhe ky ishte ultimatum. Ndërkohë Kolegji dhe grupi i kryetareve janë institucione që rekomandojnë, por nuk vendosin. Vendimin e merr Kryesia. Në demokraci është zgjidhur me votë kur nuk ka konsensus. Por ama të vij unë brenda kryesisë, kam një variant dhe varianti im nuk miratohet dhe të çohem dhe të largohem, kjo nuk është demokratike, kjo është thikë pas shpine për PD. Veprimet që i kanë bërë gjithsecili mban përgjegjësi dhe për demokratët sot dhe nesër. Kemi nevojë për mbështetje jo për shkelma.”

Përplasja vijoi të mërkurën. Gazment Bardhi kërcënimet nga personat jashtë kryesisë i konsideroi si grup paramilitar.

Gazment Bardhi: “Dhuna verbale, presioni dhe shantazhi kundër deputetëve të PD që mendojnë ndryshe nuk janë mjete politike. Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD.

Duke dënuar me forcë aktet e dhunës kundër deputetëve të PD, anëtarëve të Kryesisë dhe gazetarëve, u kërkoj secilit kolegë të distancohen publikisht prej tyre. Përmes dhunës, presionit dhe shantazhit nuk ndërtohet asgjë afatgjatë, në interes të demokratëve dhe të Shqipërisë.”

Edhe kundërshtarët e tij brenda PD u distancuan. Kolegji i kryetarëve shprehet se dhuna për tiu imponuar kryesisë për votën është e papranueshme

Edhe Lulzim Basha u distancua. Në deklaratë vlerëson debatin konstruktiv, dhe dënon kulturën e vjetër politike të baltës e shantazhit.

Përballjet për kryetarin u pasuan me dorëheqje. Flamur Hoxha njoftoj largimin si anëtari i Kryesisë dhe si sekretar organizativ duke thënë se nuk është në lartësinë e asaj kryesie. Të njëjtin veprim ndërmori edhe Oriela Nebiaj.

Zhvillimet i komentoi dhe Sali Berisha, por pa përmendur nisjen e zgjedhjeve, tërhoqi vëmendjen për kërcënimin e gazetarëve.

EMISIONET