Mosbindja civile me bllokim rrugësh e opozitës, Policia bën bilancin: 4 persona të arrestuar, 16 deputetë u kallëzuan në SPAK

Pas protestës së opozitë më 29 tetor, ku u bllokuan disa akse kryesore në vend, Policia ka reaguar duke treguar bilancin e personave të arrestuar, duke bërë me dije se 4 shtetas janë vënë në pranga.

Ndërkohë procedim penal në gjendje të lirë ka ndaj 195 protestuesve, ndërsa 16 deputetë të opozitës janë kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme.

Deputetë të proceduar: Xhelal Mziu, ⁠Flamur Noka, ⁠Asllan Dogjani, Albana Vokshi, Luan Baçi,Tritan Shehu, Kasem Mahmutaj, Edi Paloka, Ervin Minarolli, Bledjon Nallbati, Dashnor Sula, Tomorr Alizoti, Qani Xhafa, Edmond Spaho, Elda Hoti dhe Kastriot Piroli.

I proceduar dhe kryetari i bashkisë Kavajë: Fisnik Qosja

Njoftimi i policisë:

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nga drejtoritë vendore të Policisë Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier dhe Lezhë, në drejtimin e prokurorive përkatëse, për dokumentimin e paligjshmërive të kryera gjatë tubimeve të djeshme, në pikat lidhëse të këtyre qyteteve, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të tyre, ju informojmë se:

-Janë arrestuar 4 shtetas, 3 në Elbasan dhe 1 në Tiranë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe/ose “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

-Janë referuar materialet në prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 195 shtetas, përkatësisht 92 në Durrës, 36 në Fier, 33 në Tiranë, 20 në Elbasan dhe 14 në Lezhë. Janë shpallur në kërkim 5 shtetas, përkatësisht 3 në Elbasan dhe 2 në Tiranë.

-Janë referuar materialet në SPAK, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 16 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë (4 në Tiranë, 4 në Durrës, 3 në Fier, 3 në Elbasan dhe 2 në Lezhë) dhe për kryetarin e bashkisë Kavajë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ditën e djeshme, këta shtetas janë grumbulluar në pikat lidhëse të qyteteve Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Lezhë dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve. Gjithashtu, disa prej tubuesve kanë lënë automjetet e tyre në rrugë, me qëllim bllokimin e qarkullimit.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e drejtuesve të automjeteve me të cilat u bllokua qarkullimi, si dhe në drejtimin e prokurorive kompetente, po hetohet për të identifikuar shtetasit e tjerë të implikuar në paligjshmëri gjatë këtyre tubimeve.

EMISIONET