Meta nga Saranda: Qeveria vepron si organizatë kriminale. Çështjen e Butrintit do ta ndjekim deri në fund!
Gjatë prezantimit të kandidatit të koalicionit opozitar "Bashkë Fitojmë" për kryetar bashkie në Sarandë, Ardit Cikuli, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta hodhi akuza ndaj qeverisë duke e quajtur atë organizatë kriminale.
Meta tha se qëndrimi i qeverisë për çështjen e Butrintit ka qenë një sjellje grabitqare. Ai paralajmëroi se opozita do ta ndjekë këtë çështje deri në fund.
Meta: Pasuritë natyrore nuk do të shihen si plaçkë për t’u grabitur e tregtuar, por përkundrazi. Është e tmerrshme që Saranda të jetë e rrethuar nga uji dhe ende të mos e ketë të zgjidhur problemin e ujit. Fonde dhe tendera që janë bërë, janë grabitur. Është një sjellje anti-kombëtare dhe grabitqare qëndrimi i Rilindjes me çështjen e Butrintit. Këtë çështje duhet ta ndjekim deri në fund, sepse nëse nuk e ruajmë, cënojmë jo vetëm dinjitetin tonë, por edhe turizmin. Urbanistika këtu është e shkatërruar. Askush nuk ka menduar për parkingjet, për transportin.
Rilindja këtu është sjellë si organizatë kriminale. Vetëm jep leje për pallate mbi pallatet. Vizioni i Cikulit është një vizion realist. I një profesionisti të nivelit më të lartë. Kandidatët i keni zgjedhur vetë ju përmes një procesi demokratik si ai i primareve. Ju e dini shumë mirë si janë katapultuar kandidatët e krahut tjetër. Klani më i fortë ka bërë pagesën më të mirë dhe… Nuk dalin në debat ata. Të falimentosh Bashkinë e Kavajës që është një nga më të pasurat e Shqipërisë, të falimentosh atë të Vorës që ka bizneset më të mëdha të vendit dhe të ndërrosh 5 kandidatë atje… Këta nuk duan të fitojnë përmes programeve, por kanë zgjedhur rrugën e frikësimit dhe bullizimit të qytetarëve.