Mediu në OSBE: Agresioni rus jo vetëm kundër Ukrainës, por kundër Europës
Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të OSBE në Vjenë, ku u diskutua rreth agresionit Rus në Ukrainë.
Sipas tij, delegacioni i Ukrainës nuk mori pjesë për shkak të prezencës së delegacionit rus.
“Pothuaj gjithë parlamentarët e vendeve të OSBE në momentin që merte fjalën delegacioni rus largoheshin nga salla ose valëvisnin flamujt e Ukrainës.
Në fjalën time në komitetin e politikave dhe sigurisë që drejtohej nga Kongresmeni Richard Hudson theksova se tashmë 1 vit mbas agresionit rus në Ukrainë është më se e qartë që ky agresion është jo vetëm kundër Ukrainës por kundër Europës.
Është një agresion i regjimeve autoritare kundër vendeve demokratike me interesa të qarta gjeopolitike dhe gjeo-ekonomike. Rusia dhe Kina e kanë përdorur ekonominë si një armë kundër vendeve të tjera”, tha Mediu.
Ai theksoi se vendet tona duhet të ndërmarrin hapa konkret që të mos lejojnë investime që krijojnë probleme me sigurinë kombëtare.
“Ashtu si SHBA dhe BE ne duhet të aprovojmë ligje që bëjnë një proces vlerësimi për investimet e huaj për të evituar që investimet të kthehen në mjete që cenojnë sigurinë kombëtare dhe influencojnë politikën”, tha Mediu.