Këlliçi i jep besën banorëve të kryeqytetit: 2023-shi e gjen Tiranën me administrator
Deputeti dhe kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 14 majit, Belind Këlliçi ka vijuar me takimet e banorëve të kryeqytetit në Njësinë Nr. 9.
Në postimin e tij në Facebook, Këlliçi thekson se 8 vjet janë një kohë e gjatë për të shfaqur vizionin për qytetin, aftësitë administrative dhe produktin e punës tënde.
Gjithashtu Këlliçi premton dhe i jep besën kryeqytetasve se ai do të lërë mandatin e politikanit dhe viti 2023 e gjen Tiranën me administrator.
"Njësia9! Një kryebashkiak i mirë minimizon problematikat e trashëguara dhe nuk krijon të reja.
Ekspertët thonë se Tirana në shumë zona të saj është dëmtuar në mënyrë të parikuperueshme nga lejet e ndërtimit pa kriter që ka nënshkruar kryebashkiaku i tanishëm, i cili ç'kishte për të bërë e ka bërë.
8 vjet janë një kohë e gjatë për të shfaqur vizionin për qytetin, aftësitë administrative dhe produktin e punës tënde. Çdo punë ka afat. Punëdhënësi nuk të pret me vite të tëra. Ju nuk do të prisni një dekadë për të patur një shkollë në lagje ku të shpini fëmijët. Uji në çezmë duhet të rrjedhë çdo ditë! Ju nuk do të prisni zgjedhjet për të parë asfalt. Kjo mendësi e vjetër duhet të ndëshkohet me votë! Ju doni ndryshime jo se s'keni durim siç ju thonë, por se ndryshime nuk keni parë. Tirana nuk do të ketë më rrugë që asfaltohen pa përfunduar kanalizimet e nevojshme! Nuk do të prisni 8 vjet e as 4 për të patur rrugë e ndriçim publik!
Unë do të le mandatin e politikanit për t'ju dhënë besën time se viti 2023 e gjen Tiranën me administrator!", shprehet Belind Këlliçi.