LZHK: Propozojmë sistem proporcional kombëtar, me 4 zona zgjedhore

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar ka paraqitur të premten programin e saj politik për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Po ashtu, LZHK ka parashtruar dhe kërkesat për Reformën Zgjedhore, ndërsa saktësoi edhe qëndrimin e saj për sa i takon ngritjes së Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, i cili u votua dje nga mazhoranca, pasi opozita abstenoi.

Në një deklaratë për mediet, nga selia e LZHK, kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi u shpreh se, “LZHK nuk është dakord me këtë komision. Pozicioni i opozitës ka qenë pozitiv që nuk mori pjesë. Ne e kemi konsideruar një dokument pa vlerë që nuk lufton realisht korrupsionin, qeveria i ka mjetet e nevojshme për ta luftuar korrupsionin”, tha Shehi.

“Ne kemi dyshimin permanent, se kjo po bëhet për t’i bërë presion SPAK dhe GJKKO. I ftoj kolegët e tjerë opozitarë t’i qëndrojnë këtij pozicioni. Nëse do fillojnë tratativa, marrëveshje si do jetë komisioni, do ta fusin veten në një situatë qesharake”, thekson Shehi.

Më tej ishte Ekrem Spahia, që parashtroi programin dhe kërkesat e kësaj force politike për aleancat zgjedhore në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Slogani i zgjedhur nga kjo forcë politike është “Ne dimë të bëjmë shtet”.

“Ideja jonë për bashkëpunimin me partitë e tjera politike lidhet me të qenurit në opozitë me qeverinë. Ky bashkëpunim do të varet shumë nga ligji i ri zgjedhor, por edhe qasja politike parazgjedhore e këtyre partive”, tha Spahia.

Sa i takon reformës zgjedhore, Spahia tha se propozimet e LZHK janë: “Shqipëria me sistem proporcional Kombëtar ose 4 zona zgjedhore, lista të hapura, votim i diasporës dhe votim dhe numërim elektronik.”

Spahia tha gjithashtu se “LZHK mbështet reformën në drejtësi dhe organet e dala prej saj. Ndërsa sa i takon politikës së jashtme, në fokus është forcimi i partneritetit strategjik me SHBA dhe BE”.

Ai tha se “projekti politik i LZHK është një reformë e re administrative dhe ndryshime kushtetuese. Ndërsa, sa i takon prioriteteve në aspektin ekonomik e social, LZHK ka prioritet investime masive në Bujqësi dhe rindërtimi të sektorit industrial”.

“LZHK ka në fokus familjen, pronën dhe të përndjekurit politikë”, përfundoi Spahia.

Dokumenta bashkëngjitur

EMISIONET