“LUFTA” PËR 1 IMUNITET/ Baçi: S’do ishim në këtë situatë nëse SPAK-u do të kishte vepruar ligjërisht, ja pse
Teksa po shkojmë drejt përfundimit të afatit tremujor nga ana e Kuvendit për një vendim mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen ose jo të mandatit të deputetes për Belinda Ballukun, pyetja që ngrihet është do ketë një rrëzim në heshtje të SPAK nga PS-ha, apo mazhoranca do të vendosë të vijojë ruajtjen e standardit të vënies në dispozicion të drejtësisë të deputetëve dhe ministrave sa herë ka dyshime mbi ta.
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, i ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” deklaroi se vonesa që po bëhet nga mazhoranca është e qëllimshme.
“Kjo nuk do shumë mend për ta kuptuar, ku nëse më parë kryeministri fliste për çdo koleg të vetin që hante dardha pas shpinës së tij, nuk mbante asnjë lloj përgjegjësie dhe dilte para publikut dhe ndërkombëtarëve si një kryeministër i ndershëm që ia linte në dorë drejtësisë çdo gjë, sot ka dalë hapur se nuk ka më dardha dhe molla pas shpine, por ato janë ngrënë në një tryezë ku ka qenë dhe ai vetë.
Kjo e detyron që ai të lëvizë për znj. Balluku sikur po lëviz për vete, por që e ka më të lehtë gjithsesi.
Nuk do të ishim në këtë situatë nëse SPAK-u do të kishte vepruar ligjërisht ashtu siç duhej dhe unë e kam një pyetje për këtë:
Përse SPAK-u nuk kërkoi heqjen e imunitetit, por kërkoi pezullimin e saj nga detyra? Dmth që këtu e ka zanafillën e gjithë kjo lojë që bëhet me znj. Balluku dhe e gjithë zvarritja që ndodhi më pas”, u shpreh ndër të tjera ligjvënësi demokrat Luan Baçi.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”


