Mrekulli shqiptare në Kazakistan/ Dinamo e Ilir Dajës përmbys Astanën dhe kalon në Ligën e Konferencës

Mrekulli shqiptare në Kazakistan/ Dinamo e Ilir Dajës përmbys

Dinamo e Tiranës ka shkruar një tjetër kapitull të paharrueshëm në arenën evropiane, duke realizuar një përmbysje spektakolare ndaj Astanës dhe duke siguruar kualifikimin në raundin tjetër të Ligës së Konferencës.

Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja triumfoi 4-1 në Kazakistan, pas një ndeshjeje dramatike, duke përmbysur humbjen 0-1 të pësuar në takimin e parë në “Elbasan Arena”.

Sfida nisi në mënyrën më të keqe për Dinamon, pasi vendasit kaluan në avantazh në minutën e 24-t me Bauyrzhan Islamkhan, i cili realizoi nga pika e bardhë e penalltisë.

Por në pjesën e dytë erdhi reagimi i madh i skuadrës shqiptare. Në minutën e 48-të, Astana mbeti me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Kazukolovas, ndërsa Dinamo fitoi një penallti. Bruno Dita u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën e 50-të, duke barazuar rezultatin.

Vetëm 11 minuta më pas, Hekuran Berisha realizoi golin e dytë për Dinamon, duke përmbysur sfidën dhe duke e dërguar ndeshjen në një fund dramatik.

Koha e rregullt përfundoi 1-2, çka e çoi përballjen në shtesë. Aty, Dinamo tregoi forcën e saj, duke shënuar edhe dy herë të tjera.

Lorenc Vila shënoi golin e tretë në minutën e 93-të, ndërsa Mustapha Koma vulosi kualifikimin historik në minutën e 124-t me golin e katërt.

Me këtë fitore të madhe, Dinamo e Ilir Dajës siguron kalimin në raundin tjetër të Ligës së Konferencës, pas një nate të jashtëzakonshme që do të mbetet gjatë në kujtesën e klubit dhe futbollit shqiptar.

EMISIONET