Ligji për lobimin ndez debatin në Kuvend, Bozdo ngre alarmin: Një rrezik për ndërhyrje të huaja

Projektligji për lobimin ka shkaktuar debate të ashpra në Kuvend, ku opozita ka ngritur shqetësime serioze për miratimin e tij të përshpejtuar dhe pa konsultim të gjerë publik.

Gjatë një fjalimi në seancë, Eno Bozdo argumentoi se ky ligj po kalon pa marrë mendimin e grupeve të interesit, një fakt i theksuar më herët edhe nga deputetja Jorida Tabaku.

"Pikërisht për procedurë, po procedura është shumë e lidhur me atë çfarë ju bëni dhe aktet tuaja janë politike.

E po e marr një shembull konkret siç është rasti i ligjit për lobimin, i cili jo vetëm siç tha kolegja Tabaku, ka kaluar me shpejtësi dhe pa marrë edhe mendimin dhe konsulencën me grupet e interesit, por praktikisht është një ligj shumë i rëndësishëm që propozohet.

Propozohet në kulmin e një debati evropian për çështje të interferencës së vendeve të treta.

Propozohet kur edhe Parlamenti Evropian ka në diskutim një direktivë, paketë për mbrojtjen e demokracisë, akti për mbrojtjen e demokracisë që quhet, që merr në shqyrtim interferencën e vendeve të treta, jo miqësore me Bashkimin Evropian, dhe mendoj që të paktën ky projektligj, për mungesë konsultimi me grupe interesi, si dhe për nevojë të domosdoshme për t'u zgjeruar më tej me zhvillimet e fundit që ndodhin në rastin e Komisionit Evropian e Parlamentit Evropian, duhet të tërhiqet nga rendi i ditës për t'i dhënë hapësirën e mjaftueshme për t'u ridiskutuar në grupe interesi, ndoshta në komisione, po të jetë e mundur, po pse jo në një seancë plenare, e cila vërtet i jep kohën që meriton.

Dhe këtu ngre shqetësimin që e kam ngritur disa herë, për, atë që u ngrit nga zoti Boçi, që u ngrit nga shumë kolegë, për mënyrën se si serviren këtu në emër të integrimit evropian, paketa, paketa, paketa të tëra ligjore të cilat për fat të keq nuk marrin kohën e duhur për t'u konsultuar.

Nuk mundet dot që të vrapojmë me një shpejtësi marramendëse, duke lënë pas atë që është thelbësore për çështjet e përgatitjes së legjislacionit të mirë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, që është konsulenca dhe marrja e mendimeve nga të gjitha grupet e interesit dhe sigurisht dhe dëgjimi i opozitës në çështjet që ajo i konsideron me rëndësi të veçantë", u shpreh Bozdo.

EMISIONET