Letër nga burgu

Të dashur qytetarë, ndërtues, këngëtarë, gazetarë me rroga ujësjellësi dhe dashamirës të punëve të mira..
Po ju shkruaj nga burgu i Durrësit, aty ku jeta më ka futur në një reality show më të egër se Big Brother VIP. Këtu ku fryma e demokracisë është e kufizuar dhe interneti më i dobët se i një fshati të largët. Nuk hyj dot më live në facebook, nuk mund të postoj dot video duke mbjellë pemë apo duke vizatuar korsi biçikletash.
Këtu ëndrrat për një qytet modern janë zëvendësuar me realitetin e një qelie me krevate marinari dhe një banjo të përbashkët. Nuk ka më prerje shiritash në shkolla e kopshte, por ndarje turnesh për larjen e enëve. Të them të drejtën, situata nuk është aspak e lehtë…
Në këto ditë e netë të gjata, ku minuta duket orë, i vetmi ngushëllim janë disa miq të vjetër. Lefter Koka është përgjegjësi i menaxhimit të mbetjeve, të paktën tani e dimë ku shkojnë plehrat e qelisë. Alqi Bllako i djeg plehrat me një çakmak për të krijuar idenë e inceneratorit, ndërsa Ilir Beqaj është duke punuar për një projekt të ri “PPP” Pastroni-Pjatat-Prapë. Jurgis Çyrbja është i zënë me leximin e dosjeve të veta, në vend të librave.
Në vend të drekave luksoze, si Ols Violina që ha scampi, këtu menuja është "çfarë ka mensa", e cila ngjan shumë me një tender të paracaktuar nga ato që dikur ia jepja Nikolin Jakës për kopshtet. Këtu kafja është më e errët se asfalti elektoral që hidhja shpejt e shpejt rrugëve të Tiranës. Këtu ka vetëm kamera sigurie, por asnjë kamer që të filmojë sakrificat e mia, nga ato kasetat e gatshme që i dërgoja dikur Klanit dhe Top Channel.
Nuk është e lehtë të jesh i fortë në këtë vend, por kam premtuar të mbaj moralin lart edhe kur mendoj që Belinda është afër Edi Ramës tim aty jashtë dhe shijon rrezet e diellit kur shkon për inspektime.
Dikur thashë “i kam ato prej hekuri”, por këtu në burg kjo shprehje merr kuptim tjetër, pasi gjithçka këtu është me hekura!
Me shpresë që kjo letër të mbërrijë tek ju (se dyshoj që Ols Violina do m'i ndalojë edhe letrat).
Me respekt,
Erion Veliaj, ende Kryetar i Bashkisë, derisa ta kuptoni që jam i pazëvendësueshëm!/ CNA.al: Marrë nga rrjetet sociale



