Kuvendi, 150 minuta debat për raportin e “Ligjeve” për shkarkimin e Begajt

Konferenca e Kryetarëve shqyrtoi sot kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, për zhvillimin e një mocioni me debat në lidhje me raportin e Departamentit të Shtetit për vitin 2025 mbi klimën e investimeve më vendin tonë.
Konferenca e Kryetarëve vendosi që mocioni me debat të bashkohet me diskutimin që do bëhet në fillim të sesionit të ardhshëm së bashku me raportin e Këshillit të Ministrave.
Një tjetër pikë që u diskutua gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ishte përcaktimi i kohës së debatit për raportin e Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike në lidhje me kërkesën për shkarkimin e Presidentit të Republikës.
Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve ra dakord që koha e debatit të jetë 150 minuta.
Gjatë fjalës së tij, Bardhi tha se “raporti i Komisionit të Ligjeve ka ardhur në tejkalim të kompetencave dhe se nuk është detyrë e komisionit të thotë nëse ka pasur apo jo shkelje kushtetuese”.
“Këtë e bën komisioni hetimor. Komisioni i Ligjeve ka kompetencë vetëm të verifikojë procedurën. Kështu që raporti është në tejkalim të rolit që ka”, tha Bardhi.
Bardhi shtoi se për sa i përket përmbajtjes, nuk është real.
“Në faqen 9 thuhet se Presidenti nuk ka shkelur Kushtetutën për zgjedhjet në Tiranë. Gjykata Kushtetuese e ka thënë njëzëri se Presidenti ka shkelur Kushtetutën me caktimin e datës për zgjedhjet në Tiranë. E përsëris: E ka thënë njëzëri. Nuk e shkarkojmë ne Presidentin, e shkarkon Gjykata Kushtetuese. Pse e mbroni politikisht, pse ia fshihni Gjykatës?!”, tha Bardhi.
Një tjetër pikë ishte edhe caktimi i kohës së debatit prej 150 minutash për secilin nga raportim që do të bëjnë institucionet e pavarura në seancën plenare të datës 06.11.2025.
Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve ra dakord që koha e debatit të jetë 150 minuta për secilin nga raportimet e institucioneve.

