"Korrupsioni, meraku i SHBA-ve", Meta komenton takimin me Escobar. Tregon edhe a do i ndajë paratë e fushatës me Berishën
Ilir Meta nuk dha detaje lidhur me takimin e të mërkurës me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, por tha se aleati strategjik i Shqipërisë mbetet i shqetësuar për korrupsionin.
"Është shumë e rëndësishme që SHBA mbeten të përkushtuar për parimin e demokracisë në Shqipëri. Është shumë e rëndësishme që janë shumë të shqetësuar për nivelin e korrupsionit dhe inkurajojnë luftën kundër korrupsionit me përparësi të veçantë. SHBA janë shumë të shqetësuara që të mbizotërojë demokracia dhe vullneti i lirë i qytetarëve shqiptarë".
Partia e Lirisë përfitoi 15 milion lekë nga KQZ për fushatën zgjedhore por Meta nuk ju përgjigj interesit të gazetarëve kur u pyet nëse këto para do ti ndajë me Sali Berishën.
"Ky është një koalicion idealesh dhe një koalicion i interesit qytetar, publik, kombëtar për t'ju rikthyer qytetarëve në 14 maj sovranitetin mbi bashkitë."
Në një konferencë të enjten nga selia e Partisë së Lirisë, Meta tha se lufta kundër korrupsionit në nivel vendor dhe ulja e kostove të jetesës do të jenë prioriteti i kandidatëve të koalicionit opozitar "Bashkë Fitojmë".