"Gjendja ekonomike është përkeqësuar", Meta: Plani i kandidatëve tanë, ulja e kostos së jetesës
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta soli në vëmendje një anketë nga Instituti Republikan Ndërkombëtar, ku shqiptarët thoshin se problem shqetësues ishte korrupsioni.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, Meta theksoi se kandidatët e opozitës do të ofrojnë një program që do të lehtësojë koston e jetesës në vendin tonë.
"Në Tiranë, Instituti Republikan Ndërkombëtar sapo ka publikuar një anketim, nga del se pjesa dërrmuese e qytetarëve shqiptarë, renditën shtrenjtimin e jetesës dhe korrupsionin si shqetësimet e tyre më të mëdha.
Ata shprehen se demokracia shqiptare nuk ka përparuar sa duhet dhe se janë të shqetësuar për emigrimin e shtuar kohët e fundit. 87% e tyre pohuan se korrupsioni është një problem serioz në Shqipëri. Pjesa dërrmuese e të anketuarve, 79% e të rriturve, pohuan se çmimet e larta dhe kostot e jetesës janë çështje kryesore të vendit.
Pjesa më e madhe pohojnë se gjendja ekonomike ka mbetur njëlloj ose është përkeqësuar. 53% e qytetarëve mendojnë që drejtuesit bashkiakë po punojnë pak ose aspak për të trajtuar nevojat e banorëve. Janë rikandiduar afro ¾ e bashkiakëve aktualë të mazhorancës. Një numër i madh qytetarësh, nga të gjithë moshat dhe profesionet, madje edhe nga të gjithë shtresat dhe nivelet e jetesës po largohen nga Shqipëria.
Emigrimi është vërtet një shqetësim i madh, sepse ndikon në të gjithë ekonominë, tek forca punëtore, kompanitë kërkojë punëtorë në degët e tyre. Banka Botërore konstaton se për 25% të popullsisë me të ardhura më të ulëta, 70% e të gjithë të ardhurave të tyre shkon vetëm për ushqimin.
Pa llogaritur të ardhurat për ilaçet, qiranë e banesës, për energjinë elektrike, taksat, tarifat vendore, etj. Plani i kandidatëve tanë ndihmon shumë për të ulur koston e jetesës. Do ulim taksat vendore që janë rritur në mënyrë marramendëse", deklaroi Ilir Meta.
Fjala e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në konferencën me gazetarët
Përshëndetje! Dje Instituti Republikan Ndërkombëtar publikoi një anketim, nga i cili del qartë se pjesa dërrmuese e qytetarëve shqiptarë rënditën si shqetësimet e tyre më të madha shtrenjtimin e jetesës dhe korrupsionin. 87 përqind e tyre pohuan se korrupsioni është një problem serioz në Shqipëri. Pjesa dërrmuese e të anketuarve, 79% e të rriturve, pohuan se çmimet e larta dhe kostot e jetesës janë çështjet kryesore të vendit. Shumica dërrmuese e qytetarëve, mbi 53% mendojnë që drejtuesit bashkiakë aktualë po punojnë pak ose aspak për të trajtuar nevojat e banorëve. Ndërkohë siç e dini janë rikandiduar mbi ¾ e kryebashkiakëve aktualë të mazhorancës. Ndërkohë, emigrimi është konstatuar si një shqetësim madhor që ndikon tek çdo familje por edhe në të gjithë ekonominë, sidomos përsa i takon mungesës së fuqisë punëtore të qëndrueshme dhe të kualifikuar pasi kompanitë dhe të gjitha sipërmarrjet po e vuajnë këtë paqëndrueshmëri dhe mungesë. Njëkohësisht përveç këtyre tre konstatimeve shumë serioze të Institutit Republikan Banka Botërore konstaton se për 25% të popullësisë me të ardhura më të ulëta, mbi 70% e të gjithë të ardhurave të tyre shkon vetëm për ushqimin. Ç’ka tregon rritjen e jashtëzakonshme të peshës së ushqimeve në përballimin e kostos së jetesës por njëkohësisht edhe kërcënimin mjaft serioz për të mos realizuar të gjitha shërbimet e tjera. Këtu nuk llogariten të ardhurat për ilaçet, për qiranë e banesave, për energjinë elektrike, për taksat, për tarifat vendore, etj.
Partia e Lirisë është e bindur se koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ përmes kandidatëve të saj, përmes programit iu jep një zgjidhje shumë të rëndësishme në nivelin vendor të këtyre shqetësimeve. Iu jep një zgjidhje shumë të rëndësishme luftës kundër korrupsionit në nivelin vendor dhe për këtë garancia më e madhe është instalimi i transparencës që në 15 maj në të gjitha këshillat bashkiakë. Në 61 bashkitë, transparencë që ka munguar gjatë këtyre 4 viteve kur këto këshilla kanë vuajtur nga monizmi absolut, pasi të gjithë këshilltarët kanë qenë të Rilindjes dhe këto këshilla vetëm kanë noterizuar papërgjegjshmërinë e shumicës së kryetarëve bashkiakë aktualë.
Së dyti, plani i kandidatëve tanë njëkohësisht ndihmon shumë për ulur koston e jetesës. Në radhë të parë duke ulur taksat vendore të cilat janë rritur në mënyrë arbitrare dhe marramëndëse gjatë këtyre 4 viteve pa asnjë lloj transparence.
Ka një shqetësim të madh nga ana e avokatëve të rilindjes sesi do të zgjidhet çështja e transportit publik falas, premtuar nga kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës, zoti Belind Këlliçi.
Atëhere do t’u themi se është tërësisht i zgjidhshëm sepse ekziston jo vetëm vullneti politik për ta vënë bashkinë në shërbim të qytetarëve dhe për t’i dhënë zgjidhjen problemit që prek dhe që ndihmon 200 mijë qytetarë çdo ditë të kryeqytetit të cilët përdorin shërbimin urban dhe e gjithë fatura financiare është 6.8% e buxhetit vjetor të bashkisë.
Ndërkohë, faturat që paguajnë qytetarët e Tiranës me taksat e tyre për kompaninë e inceneratorit është shumë herë më e madhe. Por avokatët e rilindjes dhe vetë rilindja habiten se si mundet që një pjesë e të ardhurave të bashkisë të shkojë në shërbim dhe në ndihmë të 200 mijë banorëve të kryeqytetit. Jo, sepse sipas rilindjes duhet që të gjithë duhet të punojnë për një pakicë, të punojnë për disa pronarë që janë në kërkim dhe të punojnë për vepra që nuk ekzistojnë, ndërkohë që ata çdo ditë takohen në mënyrë jo transparente dhe arbitrare. Flas për qytetarët e kryeqytetit dhe jo vetëm këtu.
Njëkohësisht, paratë që do të duheshin për transportin publik falas në Tiranë janë gati sa 70 metra rrugë e re sipas standardeve të rilindjes që ka kaluar 20 e sa milionë euro kilometri.