Çipa: Ja si i shpëtoi Partia Socialiste shkatërrimit kur Fatos Nano ishte në burg

Burgosja e Fatos Nanos në vitet e para të tranzicionit mendohej se do të ishte një goditje fatale për Partinë Socialiste, por historia tregon një tjetër realitet prapaskenash. Në një kohë krize të thellë për të majtën, mungesa e kryetarit u zëvendësua nga një frymë e jashtëzakonshme kolegjialiteti dhe një drejtim i ekuilibruar nga profesor Servet Pëllumbi.
Për të folur rreth kësaj teme, i ftuar në emisionin "Drejt", në "Ora News" ishte gazetari Aleksandër Çipa i cili u shpreh se ishte pikërisht propozimi i Fatos Nanos nga qelia që të zgjerohej baza drejtuese me një kryesi të përbërë nga autoritete partiake, duke përfshirë pesë nënkryetarë.
Në këtë periudhë delikate, Servet Pëllumbi mori rolin e zëvendëskryetarit, i veshur me atribute të plota për zëvendësimin e kryetarit në detyrë. Nënkryetarët e tjerë, mes të cilëve figuronin emra si Namik Dokle apo Luan Hajdaraga, ndanë mbulimin e sektorëve të tjerë për të mbajtur strukturat në këmbë.
Një moment tjetër deçiziv ishte inkuadrimi masiv i rinisë. Më 15 janar 1992 u themelua Forumi Eurosocialist (FRESSH), duke sjellë në vijën e parë një bërthamë të re me emra si Pandeli Majko, Monika Kryemadhi, Ilir Meta, Ilir Zela e Ndre Legisi. Ky harmonizim mes brezave, në një kohë kur lufta politike dhe presioni i shtypit të pavarur ishin në kulmin e tyre, krijoi një front rezistence dhe mbështetjeje të gjerë në bazën e militantëve.
Ajo që e veçon këtë periudhë të artë të socialistëve është theksi tek figurat me integritet dhe peshë lokale e kombëtare. Rrethet kishin përfaqësues tejet të fuqishëm që gëzonin respektin e komunitetit. Gjirokastra dallohej me emra si Bashkim Fino, Resul Logo dhe profesoresha Elvira Shapllo. Në Shkodër spikaste Shaqir Vukaj, i cili mbështetej në një traditë dhe bazament të fortë familjar patriotik. Kjo skemë përsëritej në Fier me Petro Koçin e Baftjar Zeqon, në Lezhë me Agron Dibrën, si dhe me figura kyçe në Vlorë, Elbasan, Korçë e Durrës.
Ky angazhim i gjerë individësh krijoi një perceptim të thellë të lirisë së mendimit, konkurrencës dhe përfaqësimit, një klimë që sot shpesh shihet si e pakrahasueshme me fazat e mëvonshme të partisë. Pikërisht ky gërshetim i vlerave individuale me bazamentin familjar dhe respektin në komunitet i dha Partisë Socialiste themelin e fortë për të ndërtuar profilin e saj, duke u sjellë si një forcë qeverisëse edhe pse gjendej në një opozitë të ashpër.
Ndiqni emisionin e plotë:

