Çipa: Krijimi i PS nuk ishte “konvertim”, por një proces i gjatë që nisi para ’90-ës

Në një edicion special të emisionit "Drejt", në "Ora News", i cili përkoi me 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, u zbuluan detaje të panjohura mbi tranzicionin më të rëndësishëm dhe të vështirë politik në Shqipëri.

I ftuari në këtë puntatë, ishte gazetari Aleksandër Çipa, i cili theksoi se transformimi i Partisë së Punës në Partinë Socialiste nuk ishte një ngjarje e beftë apo thjesht një "konvertim" sa hap e mbyll sytë brenda një nate. Përkundrazi, ky ishte një proces rënieje dhe riorganizimi që kishte nisur shumë më herët se vendosja zyrtare e pluralizmit në vitin 1990.

Sipas detajeve të diskutuara nga dëshmitarët e ngjarjeve të asaj kohe, viti 1990 i kishte dhënë tashmë sinjalet e fundit të rënies së regjimit komunist. Ndërkohë që udhëheqja e atëhershme përpiqej me çdo kusht të ruante fasadën e pushtetit absolut, themelet ishin thellësisht të krisura.

Njerëzit me vizion e ndienin qartë se sistemi po shkonte drejt një fundi të pashmangshëm. Kjo periudhë delikate u shoqërua me lëvizje të guximshme nga intelektualë të ndryshëm, të cilët filluan të ngrinin zërin, të mbanin qëndrime kritike të hapura dhe të reflektonin saktësisht atë pakënaqësi që po ziente në vetë shoqërinë shqiptare.

" E para nuk është shumë korrekt termi konvertim. Natyrisht themelimi i Partisë Socialiste, krijimi i Partisë Socialiste për të përdorur një term më korrekt. 

Natyrisht ai moment nuk qe një moment që erdhi ashtu krejt papritur, që u mblodhën delegatët në Kongresin e 10-të të Partisë së Punës. Unë kam qenë nga statistikat ndoshta delegati më i ri i atij kongresi, pra u mblodhën delegatët në Kongresin e 10-të të Partisë së Punës dhe të nesërmen lindi Partia Socialiste.

Ishte një proces që kishte nisur shumë më herët dhe shumë më herët madje sesa të vendosej pluralizmi në Shqipëri. Sepse viti 1990 ishte një vit që i kishte dhënë sinjalet e fundit.

Sado që udhëheqja e Partisë së Punës në atë kohë përpiqej të ruante fasadën e pushtetit, plasaritjet ishin në themelin e atij pushteti dhe dikush që kishte vizionin, guximin edhe intuitën për të parashikuar, e ndiente që sado të përpiqeshin, gjëja po shkonte drejt fundit.

Kjo natyrisht është e dokumentuar në atë kohë me lëvizje interesante intelektualësh të ndryshëm që filluan të shfaqin opinione, të shfaqin qëndrime, të bëjnë kritika të hapura për gjendjen në të cilën ishte Shqipëria dhe të konturonin profilin e tyre si intelektualë me zë që shkonte në unison apo në rezonancë me atë që ndiente shoqëria shqiptare në atë kohë", u shpreh Çipa.

EMISIONET