INCENERATORI I FIERIT/ SPAK kërkon rihapjen e dosjes, avokatët kundërshtojnë në Apel

INCENERATORI I FIERIT/ SPAK kërkon rihapjen e dosjes, avokatët

Seanca për çështjen e inceneratorit të Fierit është zhvilluar në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, pas rikthimit për rishqyrtim nga Gjykata e Lartë. Në qendër të debatit ishte kërkesa e SPAK për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor dhe rimarrjen e provave, si dokumentet ashtu edhe dëshmitë e personave të përfshirë në proces.

Avokatët e të pandehurve kundërshtuan kërkesën e prokurorit Dritan Prençi, duke argumentuar se nuk ka arsye ligjore për një proces të ri provash dhe se një pjesë e elementëve të kërkuar nga SPAK nuk lidhen me klientët e tyre.

Mbrojtësi i Lefter Kokës, avokati Julian Mërtiri, kërkoi që çdo provë që mund të merret sërish të lidhet vetëm me personat që janë shpallur të pafajshëm në shkallën e parë dhe jo me klientin e tij. Sipas mbrojtjes, dëshmitarët e rinj nuk kanë lidhje me përgjegjësinë penale të Kokës.

Mërtiri kërkoi gjithashtu administrimin e disa provave të reja, mes tyre vendime gjyqësore, duke kërkuar kohë për sigurimin e tyre. Ai argumentoi se SPAK ka kërkuar dënimin e të pandehurve mbi bazën e akteve ekzistuese dhe jo rihapjen e plotë të procesit gjyqësor.

Edhe mbrojtja e ish-deputetit Alqi Bllako kundërshtoi kërkesën e SPAK. Avokati Ilir Mustafaj u shpreh se klienti i tij është shpallur i pafajshëm për një nga akuzat dhe se nuk mund të shpallet fajtor duke u bazuar në të njëjtat prova të shqyrtuara më parë.

Sipas tij, nuk ka prova të reja që justifikojnë rihapjen e shqyrtimit dhe një vendim i tillë do të cenonte të drejtat procedurale të të pandehurit.

Mbrojtjet e tjera, përfshirë ato për Arben Dervishajn, Erjola Kodrën, Erjon Muratajn, Dushën dhe të pandehurit e tjerë, kërkuan rrëzimin e kërkesës së SPAK, duke argumentuar se procedura nuk lejon një rikthim të tillë të provave, veçanërisht në një proces ku është zhvilluar gjykim i shkurtuar.

Nga ana tjetër, prokurori Dritan Prençi kërkoi që gjykata të vendosë vetëm për çështjen e rihapjes së shqyrtimit dhe rimarrjes së provave, duke u bazuar në shkaqet e ankimit.

Në përfundim të seancës, Apeli i Posaçëm vendosi shtyrjen e shqyrtimit për datën 29 korrik, ora 09:30, në mënyrë që palët të paraqesin qëndrimet e tyre dhe avokati i Klodian Zotos të njihet plotësisht me aktet e dosjes.

Çështja e inceneratorit të Fierit vijon të jetë një nga proceset më të rëndësishme të ndjekura nga drejtësia shqiptare, me disa të pandehur që janë dënuar dhe të tjerë që janë shpallur të pafajshëm në shkallën e parë.

 

EMISIONET